Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe një person tjetër është arrestuar nën dyshimin se “ka pasur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës” për sulmin në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në Zubin Potok. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Në vazhdimësi të hetimeve lidhur me rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike, por edhe rasteve paraprake, nga njësitë relevante hetimore, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera policore, me datën 01/12/2024 në orët e mbrëmjes, është arrestuar edhe një i dyshuar (J.V.), nën dyshimin që mund të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.”
Policia shton se në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale është kontrolluar shtëpia ku banonte i dyshuari, ku janë sekuestruar dëshmi dhe prova materiale, si më poshtë:
– Katër (4) Granata dore
– Një (1) Pushkë Gjuetie
– Mbi 500 copë municion të kalibrave të ndryshëm
– Dy (2) Karikatorë të armës automatike AK-47
– Një (1) karikatorë i pushkës së gjatë
– Një (1) Radiolidhje
– Një (1) pale dylbi
– Një (1) kamerë kamufluese
– Uniforma ushtarake dhe
– Dokumente të ndryshme