Një aksident me fatalitet është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen “Dardania” të Pejës.
Viktimë në këtë rast ka mbetur një i moshuar, rreth moshës 60-vjeçare, i cili është goditur nga një kamion.
Rastin e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore e Pejës.
Shkodran Nikçi, zëdhënës i këtij institucioni, për Klankosova.tv tha se shoferi është ndaluar për 48 orë.
“Në vendin e ngjarjes ka dalë policia dhe Prokurori i Shtetit. Ngasësi i automjetit është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe viktima është dërguar në IML për obduksion”, deklaroi Nikçi.
Rastin më parë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, ku është bërë e ditur se viktima ka qenë me karrocë, dhe është rrëzuar në tokë. Për pasojë, dyshohet se shoferi i kamionit nuk e ka parë dhe e ka goditur për vdekje.