Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, së bashku me liderët tjerë të Frontit Europian ndodhet para Gjykatës Kushtetuese, ku ka dalë për siç thonë “mbrojtje të gjuhës shqipe”. Ahmeti me këtë rast kërkoi që gjykatësit kushtetues të mos marrin vendime të njëanshme. Ai bëri thirrje që të ruhet bashkëjetesa dhe demokracia në vend.
“Të punojmë të gjithë bashkë që paqja të avancohet, e jo të rrënohet. Do të doja që këtu të kishte edhe intelektual nga bashkëqytetarët maqedonas, si dhe popullatë. Ne asnjëherë nuk kemi kontestuar gjuhën dhe kulturën e tyre, çdo herë kemi tentuar t’i mbrojmë vlerat e tyre dhe tonat. Ne duam që vendi ynë të jetë në paqe, i integruar në BE, pa probleme me gjitha vendet fqinje dhe mirësi të përhershme me gjithë popujt e Ballkanit. E kaluara nuk duhet harruar sepse me atë të kaluar kemi vuajtur të gjithë bashkërisht dhe sot sërish të ngriten çështje që janë mbyllur me një dokument dhe marrëveshje të dakorduar në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, pra Marrëveshjen e Ohrit. Këtij dokumenti sa duhet t’i dalim zot ne, po aq duhet t’i dalin zot të gjitha institucionet në RMV, sepse i dha fund luftës dhe i hapi shtegun paqes e dialogut. Prandaj kujdes mos e rrezikoni të ardhmen e të rinjve dhe të rejave, neve na duhet e ardhmja jo e kaluara, pasi e kaluara është e dhimbshme për të gjithë ne. Ne nuk kërcënojmë asnjë, duam lirinë tonë, duam që dinjiteti ynë të mos na poshtërohet. Duam që mos të bëhet patriotizëm me çështje të ndjeshme dhe të bëhet fushatë me fjalor anti-shqiptar. I lus gjykatësit të mos marrin vendime të njëanshme dhe selektive, pasi nuk i bënë mirë demokracisë e as bashkëjetesës. Marrëdhëniet ndëretnike janë çelësi i stabilitetit”, tha mes tjerash Ahmeti.