Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Adelina Tërshani, ka zhvilluar sot një vizitë në Shtime, ku u prit ngrohtësisht nga qytetarët, së bashku me kandidatin tjetër për deputet, hoxhën Osman Musliu, dhe nënkryetarin e LVV-së, Glauk Konjufcën.
Në një atmosferë mobilizuese të fushatës, Tërshani u takua me qytetarë, studentë, aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit lokal, duke përcjellë mesazhin e saj
për mbështetje ndaj Lëvizjes Vetëvendosje! në zgjedhjet e 7 qershorit.
Adelina Tërshani garon për deputete me numrin 74.
“Te fleta e votimit veç fokusohuni te 116, këta tjerët këndej krejt jemi të mirë”, u tha Tërshani qytetarëve në Shtime.
Vizita në Shtime u zhvillua nën mesazhin “Shtimja e vendosur për shtet, që shteti të jetë për krejt”, siç shkroi Glauk Konjufca pas takimeve të zhvilluara në këtë komunë.
Ai bëri të ditur se dita nisi me një takim me qytetarë dhe studentë, ku u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të punëve të mira, për mundësitë që duhet krijuar për të rinjtë dhe për nevojën që shteti të mbetet në shërbim të qytetarëve.
Pjesë e vizitës ishte edhe biznesi vendor “Mendi”, ku kandidatët panë nga afër punën dhe përkushtimin që qëndron pas një prodhimi unik vendor. Sipas Konjufcës, biznese të tilla japin kontribut të rëndësishëm për ekonominë lokale dhe për punësimin në vend.
Vizita në Shtime u përmbyll me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët Konjufca i cilësoi si njerëz që çdo ditë angazhohen me përkushtim për organizatën dhe për ta mbajtur të fortë lidhjen me qytetarët.
“Pikërisht ky angazhim është forca që vazhdon t’i çojë përpara punët e mira për Republikën. Më 7 qershor, bashkë ia qesim pikën”, shkroi Konjufca.
Adelina Tërshani është një nga emrat që i është bashkuar listës së Lëvizjes Vetëvendosje, për Kuvendin e Kosovës. Ajo ka studiuar në Itali, ku ka zhvilluar edhe veprimtari politike e shoqërore. Gjatë angazhimit të saj atje, Tërshani ka pasur rastin të takojë edhe presidentin italian, Sergio Mattarella, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe Itali.
Më herët, kryeministri Albin Kurti e kishte prezantuar aderimin e saj në Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar si një zë intelektual dhe kritik që e pasuron programin për drejtësi shoqërore.
Sipas Kurtit, me formimin akademik në Gazetari dhe Menaxhim të Konflikteve, si dhe me përvojën në aktivizëm, Adelina Tërshani sjell një angazhim mbi dhjetëvjeçar në mbrojtje të të drejtave të grave, të rinjve dhe komuniteteve të margjinalizuara.
Në Shtime, ajo u paraqit si pjesë e një ekipi politik që kërkon vazhdimin e punëve të nisura, me fokus te qytetari, të rinjtë, zhvillimi lokal dhe forcimi i shtetit në shërbim të të gjithëve.
