Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar sot kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
Dy asamblistët e LVV-së, Çlirim Gërbeshi dhe Berita Abazi, e dorëzuan të enjten kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale, institucionin në të cilin kryeministri në detyrë Albin Kurti kishte refuzuar të paraqitej në ftesën për intervistim me arsyetimin se Prokuroria Speciale kishte një “plan ogurzi” ndaj tij.
“Nuk do të shkoj sepse e kam shumë të qartë planin e tyre. Ata po dëshirojnë që ta prodhojnë një fotografi ku kryeministri më i pakorruptuar në Ballkan duke hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për një rast të korrupsionit”, thoshte Kurti në një intervistë me RTK-në më 2024.
Në të njëjtën intervistë, në dhjetorin e 2024-s, kryetari i Vetëvendosjes i akuzonte prokurorët e Speciales për se gjoja “rrinë me disa gazetarë gazetarë të portaleve që nxjerrin tituj për ministrat” e tij.
Pas më shumë se një viti, asamblistët e Vetëvendosjes përfunduan duke shkuar në institucionin e drejtuar nga Blerim Isufaj, të cilin Kurti e luftoi për gati pesë vjet pambarim. Kurti e sfidoi publikisht emërimin e Isufajt në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, ndonëse sistemi prokurorial konsiderohet një mekanizëm kushtetues i pavarur nga pushtetet e tjera.
Berita Abazi, asambliste në Kuvendin Komunal të Prishtinës, tha se kallëzimi që do ta dorëzonin në Prokurorinë Speciale derivon nga një email sinjalizues ku pretendohet se përfshihet shefi i kabinetit të kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.
“Mbrëmë si grup asamblistësh në Prishtinë kemi pranuar një email sinjalizues ku kemi parë mesazhe të shumta ku flitet për legalizime të jashtëligjshme dhe shumta të mëdha parash”, tha ajo.
“Në këto mesazhe, personi i cili komunikon me një person tjetër anonim është pikërisht shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama”, pretendoi Abazi.
Abazi e quajti këtë “një skandal të madh”.
“Është detyrë e Prokurorisë që të hetojë nëse këto pretendime të sinjalizuesit janë të vërteta”, tha ajo. /Paparaci.com
