Kosova bleu mijëra dronë Skydagger dhe Bayraktar nga Turqia, duke përforcuar kapacitetet mbrojtëse.
Serbia reagoi furishëm, ndërsa Kosova tha se do të vazhdojë ta modernizojë armatimin.
Ekspertët vlerësojnë se dronët turq ndryshojnë mënyrën e mbrojtjes, duke shërbyer si mjet parandalues dhe për shënjestrim të saktë.
Në një rajon ku siguria është e brishtë, çdo blerje armësh përmban më shumë sesa kapacitete teknike – ajo bart edhe mesazhe politike.
Kështu ndodhi edhe me blerjen e fundit të mijëra dronëve turq nga Kosova, e cila shkaktoi reagime të furishme në Serbi.
Presidenti Aleksandar Vuçiç u shpreh “i tmerruar me sjelljen e shtetit turk” dhe e akuzoi atë se “ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane”.
Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të marrë ndonjë reagim nga Ankaraja, por për ekspertët e mbrojtjes, zemërimi lidhet me efektin e drejtpërdrejtë të dronëve.
“Në thelb, ata rrisin koston e çdo operacioni ushtarak kundër Kosovës. Nga përvojat e ushtrive në terren, shohim se dronët kanë aftësinë t’u shkaktojnë [forcave armike] shpenzime të mëdha”, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë Caglar Kurc, ekspert në industrinë e mbrojtjes nga Universiteti Abdullah Gül në Ankara.
Kosova e prezantoi blerjen si hap drejt përforcimit të kapaciteteve mbrojtëse, ndërsa NATO-ja paralajmëroi se çdo veprim ajror duhet të koordinohet me misionin e saj në Kosovë, KFOR.
Ky mision mbikëqyr hapësirën e ulët ajrore të vendit, e cila së fundmi është shkelur nga dronë të dyshuar të Serbisë, sipas autoriteteve në Kosovë.
Dy vendet janë duke ashpërsuar retorikën dita-ditës, me akuza të ndërsjella për provokime dhe shkelje të sigurisë rajonale.
Shkollën Pasuniversitare Detare në SHBA, pajtohet se dronët kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si zhvillohen luftërat. Ai përmend fushatën amerikane në Afganistan dhe konfliktin në Ukrainë, ku përdorimi i dronëve turq ka pasur ndikim të dukshëm në fushëbetejë.
“Droni funksionon si një shumëfishues i forcës. Ukrainasit, për shembull, janë shumë më pak në numër se forcat ruse, por dronët u ndihmojnë të barazohen në fushëbetejë dhe u mundësojnë – sidomos kur janë në pozita mbrojtëse taktike – të pengojnë shumicën e sulmeve ruse. Ndaj, për vendet e vogla, përmirësimi i mbrojtjes me dronë është ndoshta një ide shumë, shumë e mirë”, thotë Arquilla për Exposenë.
Kosova ka një forcë të sigurisë – aktualisht prej mbi 4.000 pjesëtarësh – që është në proces të shndërrimit në ushtri. Vitin e kaluar, për mbrojtjen, Kosova ndau 162 milionë dollarë, krahasuar me Serbinë: 2.2 miliardë. Më pak se Kosova në rajon shpenzoi vetëm Mali i Zi: 143 milionë – sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stokholm.
Vuçiç, edhe atëherë, reagoi me zemërim – ai e quajti këtë një garë armatimi dhe u zotua se vendi i tij do të mbrohet kundër çdo agresioni të mundshëm.
E gjithë kjo situatë reflekton edhe zhvillimet më të gjera rajonale, ku NATO-ja dhe Bashkimi Evropian po ndërtojnë një “mur për dronët” për të mbrojtur vendet anëtare nga inkursionet ajrore.
Siç thekson profesori Arquilla, dronët po bëhen pjesë e përhershme e luftës moderne.
Shembulli i Ukrainës, sipas tij, ka frymëzuar vende si Tajvani për të krijuar forca dronësh, si mjet për të detektuar dhe penguar çdo flotë të mundshme pushtuese./ REL