400 milionë euro, memorandum mirëkuptimi Kosovë – Berzh

400 milionë euro në tri vitet e ardhshme, pritet të investohen në Kosovë, nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kjo është vlera e memorandumit të mirëkuptimit që kryeministri Albin Kurti e nënshkroi të hënën me BERZH-in dhe që do të përdoret për investime që Qeveria i cilëson si prioritare, deri më 2027.

Paraprakisht, Kurti mori pjesë në tryezën e përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, për të joshur sa më shumë investitorë për vendet e tyre.

Ai foli për infrastrukturën ligjore dhe fuqinë e re punëtore, derisa tregoi edhe sektorët ku ka nevojë të investohet.

“Ne kemi nevojë për investime në transport dhe energji, në lidhje me infrastrukturën, rrugë, autostrada dhe hekurudha, po ashtu projekte me 1.2 gigavatë energji të ripërtërishme, që janë bazike për rritjen e lidhjes rajonale dhe zhvillim të qëndrueshëm, ashtu si në edukim dhe zhvillim të kapitalit njerëzor”, tha Kurti.

Njësoj bëri edhe Edi Rama, që tregoi për shifrat rekorde në sektorin e turizmit.

“Shqipëria ka ndryshuar shumë, nga një vend i stigmatizuar, si një vend i pasigurt, në një vend që vitin e kaluar arriti 10 milionë turistë”, tha Rama.

Kur në këso panele janë bashkë liderët e Kosovës dhe Serbisë, vështirë i tejkalojnë temat politike.

Kurti i replikoi kryeministres serbe Ana Bernabiq, për mënyrën si e quajti Kosovën, kur po fliste për shifra ekonomike në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

“Kur them Serbia Qendrore, dua të them Serbia, që nuk e përfshin në statistika provincën tonë autonome Kosovën e Metohinë, të cilën ne e konsiderojmë pjesë të Serbisë”, tha Bernabiq.

Më pas, Kurti e përdori togfjalëshin zyrtar të shtetit që s’e njeh Beogradi.

“Emri i vendit tim është Republika e Kosovës, jo siç u tha këtu, Kosova e Metohija. Nëse do të vazhdoja njësoj, do t’ju merrnim kohë, sepse në vend të Serbia, do të thosha Serbia, e Vjojvodina, Sanxhak, Toplica, Rashka, Lugina e Preshevës, dhe provinca e Timokut”, tha Kurti.

Kosova e Serbia ishin kushtëzuar në nëntor të vitit të kaluar, se duhet të përparojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes vete, për të përfituar nga pakoja 6-miliardëshe e Komisionit Evropian. Këtë nuk e theksoi të hënën, komisioneri Olivier Varhelyi, i cili tha se këto para do të ndikojnë në zhvillimin e gjithë rajonit.

Në anën tjetër, BERZH-i thotë se, deri më tash, në gjithë Ballkanin Perëndimor janë investuar më shumë se 18 miliardë euro. /atvlive.tv

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here