Përplasja mes Donald Trump dhe Elon Musk rreth një projektligji të madh shpenzimesh ka shtuar pasigurinë për të ardhmen e buxhetit të NASA-s, i cili po përballet me shkurtimet më të thella deri tani.
Agjencia hapësinore ka publikuar kërkesën e saj për buxhet në Kongres, që parashikon shkurtimin pothuajse në gjysmë të fondeve për projektet shkencore.
Dyzet misione shkencore, që janë në zhvillim ose tashmë në hapësirë, pritet të ndalohen.
Presidenti ka kërcënuar se do të tërheqë kontratat federale me kompaninë e Musk, SpaceX. NASA mbështetet tek raketat Falcon 9 të kompanisë për të furnizuar Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor me ekuipazh dhe pajisje. Agjencia gjithashtu pret të përdorë raketën Starship për të dërguar astronautë në Hënë dhe më vonë në Mars, sapo të zhvillohet plotësisht.
Dr. Simeon Barber, shkencëtar hapësinor në Open University, tha se kjo pasiguri po ka një “efekt paralizues” mbi programin e fluturimeve njerëzore në hapësirë.
“Shkëmbimet befasuese, vendimet e menjëhershme dhe kthimet mbrapa që kemi parë gjatë javës së fundit po minojnë themelet mbi të cilat ndërtojmë ambiciet tona.
Shkenca dhe eksplorimi hapësinor mbështeten në planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim midis qeverisë, kompanive dhe institucioneve akademike.”
Përveç konfliktit mes Presidentit dhe z. Musk, ekziston gjithashtu shqetësim për shkurtimet e thella të kërkuara nga Shtëpia e Bardhë për buxhetin e NASA-s.
Të gjitha sektorët janë parashikuar për kursime, përveç përpjekjes për të dërguar astronautë në Mars, e cila ka marrë një rritje prej 100 milionë dollarësh (74 milionë paund).
Sipas Casey Dreier, drejtor i politikave hapësinore në Shoqatën Planetare me qendër në Pasadena, e cila promovon eksplorimin hapësinor, shkurtimet e mundshme përbëjnë “krizën më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë programi hapësinor amerikan”.
NASA ka deklaruar se kërkesa e saj për të ulur buxhetin total me gati një të katërtën “përputhet me prioritetet e saj shkencore dhe teknologjike për misionet thelbësore drejt eksplorimit të Hënës dhe Marsit.”
Dr. Adam Baker, analist hapësinor në Universitetin Cranfield, i tha BBC-së se nëse këto propozime miratohen nga Kongresi, do të ndryshonin në mënyrë themelore fokusin e agjencisë.
“Presidenti Trump po e riorienton NASA-n për dy gjëra: të zbresë astronautë në Hënë para kinezëve dhe të vendosë flamurin amerikan në Mars. Gjithçka tjetër është dytësore.”
Ata që mbështesin këto propozime thonë se buxheti i Shtëpisë së Bardhë i ka dhënë NASA-s një qëllim të qartë, për herë të parë që nga ditët e uljeve në Hënë të programit Apollo në vitet 1960 dhe 70, kur synimi ishte të mposhtej Bashkimi Sovjetik në garën për në Hënë. Kritikët e NASA-s thonë se që nga ajo kohë, agjencia hapësinore është kthyer në një burokraci të fryrë dhe të paqartë, e cila rregullisht i tejkalon shumëfish kostot e planifikuara për misionet e saj dhe shpërdoron paratë e taksapaguesve.
Një nga shembujt më flagrant të kësaj është raketa e re e NASA-s për planet për rikthimin e astronautëve amerikanë në Hënë, Space Launch System (SLS). Zhvillimi i saj është vonuar dhe kostot janë rritur aq shumë sa që secili lëshim kushton 4.1 miliardë dollarë (3.3 miliardë paund). Në krahasim, raketa ekuivalente e SpaceX, Starship, vlerësohet të kushtojë rreth 100 milionë dollarë (80 milionë paund) për çdo lëshim, sepse është projektuar të ripërdoret. Kompania hapësinore e Jeff Bezos, Blue Origin, premton kursime të ngjashme me raketën e saj të propozuar, New Glenn.
Siç pritej, SLS do të dalë jashtë përdorimit sipas propozimeve të Shtëpisë së Bardhë, me shpresën se Starship dhe New Glenn do ta zëvendësojnë. Por tre lëshimet e fundit zhvillimore të Starship kanë qenë të pasuksesshme, dhe Blue Origin vetëm kohët e fundit ka filluar testimin e raketës së saj për në Hënë.
“Shqetësimi është se NASA mund të hidhet nga tigani në zjarr,” thotë Dr. Barber.
“Zhvillimi i këtyre alternativave ndaj SLS po financohet nga Elon Musk dhe Jeff Bezos.
“Nëse atyre u humbet interesi për këtë përpjekje dhe SpaceX apo Blue Origin thonë se u duhen më shumë para për të zhvilluar sistemet e tyre, atëherë Kongresi do të detyrohet t’ua japë,” thotë Dr. Barber.
Më shqetësuese, thotë Dr. Barber, është humbja e mundshme e 40 misioneve për të eksploruar planetë të tjerë dhe për të monitoruar ndikimin e ndryshimeve klimatike në Tokë nga hapësira, shumë prej të cilave përfshijnë bashkëpunime me partnerë ndërkombëtarë.
“Mendoj se është shumë e trishtueshme që ajo që ka marrë kaq shumë kohë për t’u ndërtuar, mund të rrënohet kaq shpejt me një goditje të vetme, pa asnjë plan për ta rindërtuar më pas.”
Projektet që rrezikojnë të ndërpriten përfshijnë dhjetëra misione planetare që tashmë janë në hapësirë, për të cilat pjesa më e madhe e kostove të zhvillimit dhe lëshimit janë paguar, ndërsa kursimet e propozuara lidhen vetëm me kostot e tyre të operimit, që janë relativisht të vogla.
Gjithashtu në rrezik janë dy bashkëpunime me Agjencinë Evropiane të Hapësirës (ESA): një plan ambicioz për të sjellë në Tokë shkëmbinj marsianë të mbledhur nga Rover-i Perseverance i NASA-s dhe një mision për të dërguar Rover-in evropian Rosalind Franklin në planetin e kuq për të kërkuar shenja të jetës së dikurshme.
Prof. Sir Martin Sweeting, drejtues i kompanisë britanike Surrey Satellite Technology Ltd dhe bashkëautor i një raporti të Royal Society mbi të ardhmen e eksplorimit hapësinor, thotë se megjithëse kjo zhvillim është “i padëshiruar”, mund të ketë edhe një anë pozitive për Evropën, pasi ajo merr më shumë përgjegjësi për programin e saj hapësinor.
“Ndoshta kemi qenë shumë të varur nga NASA, si lojtari i madh, për të mbajtur barrën kryesore në eksplorimin e hapësirës,” i tha ai BBC-së.
“Ky është një rast për të menduar se si Evropa dëshiron të krijojë një ekuilibër më të mirë në aktivitetet e saj hapësinore.”
Por në afat të shkurtër, pasojat për Evropën janë shumë më të mëdha. Përveç kthimit të mostrave nga Marsi dhe Rover-it të saj, ESA rrezikon të ketë qasje të kufizuar në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor nëse ai shkurtohet ose mbyllet, dhe shkurtimet në buxhet mund të çojnë në anulimin e kontributeve të mëdha të NASA-s për pasardhësin e tij, Lunar Gateway – një stacion hapësinor ndërkombëtar i planifikuar për orbitën rreth Hënës./ BBC