Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka bërë deklarata të forta lidhur me një skenar që sipas tij synonte destabilizimin e Kosovës dhe komprometimin e misionit të KFOR-it në fillim të viteve 2000.
Në një intervistë për Televizionin E, Gjukanoviç riktheu në vëmendje të ashtuquajturën “afera S.Ç.”, një skandal që shpërtheu në vitin 2002 dhe që lidhej me akuza për trafikim seksual në Mal të Zi.
Sipas tij, pas kësaj çështjeje fshihej një operacion më i gjerë politik dhe i shërbimeve sekrete serbe, me synim destabilizimin e Malit të Zi dhe pengimin e proceseve të rëndësishme politike në rajon, përfshirë afrimin e Podgoricës me pavarësinë nga Serbia.
Gjukanoviç pretendon se objektivi kryesor ishte komprometimi i KFOR-it dhe i drejtuesve të tij ushtarakë në Kosovë.
“Synimi ishte komprometimi i KFOR-it në Kosovë dhe i komandës së tij ushtarake. Për këtë qëllim po përgatiteshin 27 vajza që do t’u afroheshin zyrtarëve të lartë ushtarakë të KFOR-it. Mes tyre ishte edhe S.Ç.”, deklaroi ai.
Sipas ish-presidentit malazez, autoritetet kishin siguruar informacione se vajzat po trajnoheshin në ambientet e stadiumit të klubit Obiliq në Beograd.
“Fatmirësisht, KFOR-i dhe UNMIK-u arritën në kohë të merrnin informacionet dhe ta parandalonin atë aktivitet”, u shpreh Gjukanoviç.
Ai akuzoi gjithashtu struktura të afërta me ish-presidentin jugosllav Vojisllav Koshtunica dhe shërbimet ushtarake serbe për organizimin e këtij operacioni.
Në intervistën e tij, Gjukanoviç foli edhe për situatën politike të asaj kohe në Mal të Zi, duke deklaruar se skandali u përdor për të dëmtuar imazhin e qeverisë së drejtuar nga koalicioni DPS-SDP dhe për të krijuar perceptimin se Mali i Zi ishte një shtet i lidhur me korrupsionin dhe trafikimin.
Ai përmendi gjithashtu rolin e disa zyrtarëve malazezë të kohës, të cilët sipas tij e shfrytëzuan çështjen për interesa politike personale.
