Detaje të tjera kanë dalë në dritë për skemën e mashtrimit nga Jeton Mehmeti, e cila kap vlerën rreth 2 milionë euro. Deri më tash numri i viktimave ka shkuar në 13 persona.
Skema e mashtrimit, e cila ka përfshirë një numër të madh qytetarësh, ka qenë aktive për një periudhë dyvjeçare, duke filluar nga viti 2021 deri në vitin 2023.
2 milionë euro dhe 13 viktima: Detaje të reja për skemën e mashtrimit të Jeton Mehmetit
Detaje të tjera kanë dalë në dritë për skemën e mashtrimit nga Jeton Mehmeti, e cila kap vlerën rreth 2 milionë euro. Deri më tash numri i viktimave ka shkuar në 13 persona.
Skema e mashtrimit, e cila ka përfshirë një numër të madh qytetarësh, ka qenë aktive për një periudhë dyvjeçare, duke filluar nga viti 2021 deri në vitin 2023.
Gjatë kësaj kohe, Mehmeti nga Vushtrria ka arritur të fitojë besimin e 13 personave dhe t’i bindë ata që të investojnë shuma të mëdha parash me premtimin se do të bënte furnizimin me cigare të firmës “Trokadero”, të cilat nuk i bëri kurrë.
Paparaci jozyrtarisht mëson se Mehmeti është i përfshirë edhe në raste të fajdeve. Sipas burimeve të pakonfirmuara mësohet se në këtë veprimtari janë të përfshirë edhe figura të njohura në publik, si dhe për organet e rendit e drejtësisë.
Jeton Mehmeti, që nga marsi i këtij viti ndodhet në paraburgim. Arrestimi i tij u bë pas një hetimi të gjatë dhe të hollësishëm nga autoritetet kompetente, të cilat kishin marrë shumë ankesa nga qytetarët e mashtruar.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë për Paparacin ka konfirmuar se numri i viktimave të mashtrimit është trembëdhjetë persona.
Mehmeti, duke përdorur aftësitë e tij manipuluese arrinte të krijonte një imazh të besueshëm për veten, duke bindur njerëzit që t’i dorëzonin shuma të konsiderueshme parash.
Ndonëse rasti është në fazë hetimore, të dhëna të tjera nuk janë ofruar për mediumin tonë, përkundër interesimit.
Prokuroria ka deklaruar se hetimet janë në vazhdim dhe se informacione të tjera do të bëhen publike në kohën e duhur, për të mos rrezikuar integritetin e procesit hetimor.
“Njoftoheni se personi J.M., është në paraburgim, në këtë rast numri i viktimave të mashtrimit është trembëdhjetë persona, dhe pasi rasti është në hetim, në këtë fazë nuk mund të ofrojmë të dhëna tjera”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Prokuroria Themelore e Mitrovicës pas një hetimi disa mujor arriti të siguronte dëshmi për mashtrimin e kryer nga Mehmeti.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, njofton opinionin se është arrestuar personi i dyshuar me iniciale J.M,. me dyshimin se në periudha të ndryshme nga viti 2021 e gjer në muajin korrik 2023, në mënyrë mashtruese ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, dhe dyshohet se vlera e përfitimit është rreth 2 milionë euro”, u tha në njoftimin e Prokurorisë më 19 mars 2024.
Paparaci kishte raportuar se Jeton Mehmeti nga fshati Gumnishtë e Vushtrrisë, ishte arrestuar më 18 mars në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”, pasi ishte duke u kthyer nga Gjermania.
Mehmeti bashkë me familje kërkonte azil në Gjermani, por i ishte refuzuar për të disatën herë, e që pasoi edhe me dëbim nga shteti gjerman./Paparaci