Çmimi i Bitcoin-it ka pësuar një rënie të fortë këtë javë, duke zbritur në kuotën e 88 mijë dollarëve. Humbja në nivelin 8%, vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, foli për të vazhduar përpara me tarifat e shtyra ndaj Kanadasë dhe Meksikës.
Të hënën, Trump tha se tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës do të vendosen pasi periudha një mujore të përfundojë javën e ardhshme.
“Jemi në kohë me tarifat dhe duket se kjo po ecën shumë shpejt”, tha presidenti amerikan.
Pas kësaj deklarate, edhe kapitali i tregut të monedhës digjitale u ul në 1,75 trilionë dollarë, ndërsa vëllimi ditor i transaksioneve zbriti në 73 miliardë dollarë.
Edhe kriptomonedhat e tjera pësuan të njëjtin trend këtë javë, me Etherium, Binance e Solana që shënuan rënie nga 7 deri në 15%.
Në muajin janar, çmimi i Bitcoin-it regjistroi vlerën më të lartë ndonjëherë prej rreth 109 mijë dollarë, vetëm disa ditë pasi Trump u betua si president i SHBA-së.