Mëngjesi i së dielës i takon pazarit të Prishtinës.Me të çelë dita, tregtarët por edhe blerësit ia mësyjnë kryeqytetit.
E ndonëse emrin e ka “Pazari i Prishtinës”, duket se nuk është vetëm i prishtinasve.“Në pazarin e kerreve”, siç thuhet në popull, gjen prej veturave deri te çdo gjë tjetër për të cilin herë e di se ke nevojë, e herë jo.
Madje aty kishte të tillë që pazarin e kishin zgjedhur për të kaluar kohën e lirë. Në rrugët e ngushta e të stërmbushura me tregtarë e hapësira të zëna nga malli, lëvizja ishte e kufizuar, gati-gati e pamundshme, raporton Kiks Kosova.Megjithatë, trafikun e veturave duket se nuk del çka ta ndalë. Ishte ora 9 dhe hapësirat për shitje brenda tregut ishin tashmë të zëna. Ndonëse për të hapur mallin e tyre aty duhej të paguanin minimalisht 4 euro, duket se prioritet kishte kush vinte i pari.
Tash kur brenda tregut nuk po i zinte më tregtarët, ata që erdhën më vonë, vendosën mallin e tyre edhe përreth rrugës kryesore. Duket se ky kaos pazari nuk po iu pëlqente qytetarëve.Si qytetarët, as tregtarët nuk duken të kënaqur me kushtet që ofron hapësira e siguruar për tregtim nga komuna.