Para janë, por s’kryejnë punë.
Tash e një kohë, qytetarët nuk mund të paguajnë me monedhën metalike 2 euro. Prania e madhe e parave të falsifikuara në tregun kosovar, bëri që shumë biznese të mos i pranojnë ato.
Megjithatë, kjo po vlerësohet si rrugë jo e drejtë për t’u mbrojtur nga paratë false.
“Në këtë situatë shpesh i kemi pa bizneset që nuk po i pranojnë monedhat prej 2 eurosh, çka është e kundërligjshme dhe e dëmshme në përgjithësi për tregun dhe e dëmton konsumatorin, sepse ai nuk mund të paguajë edhe nëse i ka monedhat origjinale”, tha për ATV-në, njohësi i ekonomisë, Zekrija Shabani.
Ky vendim i bizneseve, sipas njohësit të ekonomisë, Zekirja Shabani, e dëmton ekonominë kosovare në masë të konsiderueshme.
“Në këtë mënyrë nëse nuk gaboj janë mbi 2 milionë euro para prej 2 eurove që janë në qarkullim dhe automatikisht pra nga ekonomia hiqen 2 milionë euro”, tha Shabani.
Ndërkohë, Banka Qendrore e Kosovës nuk parasheh ndonjë veprim konkret për ta luftuar këtë dukuri.
“Në kuadër të përgjegjësive të saj, BQK-ja është duke u koordinuar në aspektin ndërinstitucional me organet përgjegjëse, për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale. Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Ndërkohë, të mërkurën tre persona nga Kosova dhe tre të tjerë nga Maqedonia e Veriut janë arrestuar, në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria Speciale. Në këtë operacion u sekuestruan 85 mijë euro në monedha 2-euroshe, që dyshohet se ishin të falsifikuara. /atvlive.tv