Konfliktet në familjet kosovare janë të shpeshta dhe ka raste kur eskalojnë në dhunë psikike e fizike, por edhe në kanosje serioze. Për pasojë, Policia jo rrallëherë detyrohet të ndërhyjë në situata të tilla, siç ka ndodhur dje pasdite në Dragobil të Malishevës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se këtë herë në rast janë përfshirë babë e bir, që u kapën pas një konflikti verbal që kanë pasur mes vete.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se fillimisht djali po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht babanë, e më pas edhe ky i fundit është përleshur me të, derisa ka intervenuar një familjar.
Për ta qetësuar situatën, i njëjti ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe më pas rasti është denoncuar në Polici.
Si rezultat, të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj tyre të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’ dhe djali i dyshuar të dërgohet në mbajtje.