Banka postare e Serbisë vendos bankomatë në afërsi të kufijve me Kosovën

Serbët e Kosovës do të mund të shërbehen me dinarë, posa të hyjnë në Serbi, nga pikat kufitare Jarinjë, Bërnjak, Dheu i Bardhë dhe Merdar. Banka Postare e Serbisë i ka improvizuar katër degë të saj, bashkë me bankomatë, në këto vende.

Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, këtë e quajti si lehtësim për qytetarët që nuk mund të tërheqin dinarë në Kosovë. Nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore që e njeh vetëm euron si valutë zyrtare.

Nga Banka thonë se në objektin e pazakontë e të përkohshëm, puna do të jetë e zakonshme.

“Në këto katër lokacione do të ketë orar pune nga 9 në 17, gjatë ditëve të javës dhe të shtunën. Dua ta bëj të qartë se këto janë objekte të përkohshme që do të jenë këtu, vetëm derisa të kthehet qarkullimi normal i dinarëve dhe transaksionet të vendosen. Njerëzit këtu mund t’i marrin të gjitha shërbimet bankare, jo vetëm të tërheqin para”, tha Marko Pavloviq nga Banka Postare e Serbisë.

Sipas kësaj banke, vetëm deri në orën 13, të hënën u tërhoqën rreth shtatë milionë dinarë, që i bie rreth 60 mijë euro. Ndërsa, nuk ka kufizime sa para mund të merren.

Serbët që e shfrytëzuan këtë mundësi, thonë se vendosja e re e bankomatëve ua kursen disa kilometra.

“Kemi ardhë këtu për t’i marrë pagat tona, disa kilometra nga Merdari. Shteti serb na ka mundësuar që t’i tërheqim pagat këtu, në mënyrë që të mos shkojmë në ndonjë qytet tjetër të Serbisë. Nuk është e lehtë po nuk kemi çka të bëjmë”, thotë një serb i Kosovës.

“Kjo është më lehtë, sepse nuk kemi nevojë të shkojmë në Rashkë apo edhe në Novi Pazar”, tha një tjetër serb i Kosovës..

Dogana e Kosovës gjatë shkurtit i ktheu prapa dy herë në kufi furgonët me kartëmonedhat serbe.

Meqë prania e cash-it nisi të zvogëlohet në komunat me shumicë serbe në Kosovë, presidenti serb, Aleksandar Vucic, paralajmëroi veprime të ndryshme për t’ua mundësuar qytetarëve tërheqjen e parave.

Rregullorja e BQK-së, me fokus në çështjen e dinarit, është bërë temë edhe në procesin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, por edhe çështje kryesore në komunikimet mes autoriteteve kosovare dhe aleatëve ndërkombëtarë.

Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here