Me ndezjen e flakadanëve në “Natën e Zjarreve” sonte në Prekaz dhe koncertin në Skenderaj ka përfunduar manifestimi në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndezja e flakadanëve u bë në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Njëherësh në orën 18:00 në shtatë rajone të Kosovës janë ndezur flakadanë në kujtim të Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe familjes Jashari, në 26-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.
Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova mposhti frikën me çka i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë.
Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në lagjen e Jasharëve është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi legjendar, që shekuj e vite i dha Kosovës shumë.
Ndryshe, Epopeja e UÇK-së, më 5, 6 e 7 mars u shënua me aktivitete të shumta.