Të martën janë ekzekutuar shtesat për të gjithë fëmijët deri në moshën 16 vjeç, mjete këto që Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i ndajë në fillim të këtij muaji. 100 eurot e ndara për secilin fëmijë janë bërë mollë sherri i një konflikti mes një çifti në Vushtrri, raporton Gazeta Sinjali.
Siç mëson Sinjali, rasti ka ndodhur në një familje në rrugën “2 Maji”, ku Policia intervenoi pasditen e së enjtes pas denoncimit të një gruaje, e cila kërkoi ndihmën e Policisë.
Në bazë të informacioneve të para, burri dyshohet se është kapur me bashkëshorten e tij, për shkak të një debati që kanë pasur për shtesat e fëmijëve, pasi e njëjta nuk ia ka dhënë të gjitha paratë atij.
Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe më pas palët janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj burrit të dyshuar, është iniciuar rasti nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.