Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se fruthi vazhdon të përhapet në vend, duke prekur kryesisht fëmijët.
Sipas IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 22 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 381 raste të fruthit në 26 komuna të Kosovës.
Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 45 raste të reja.
Instituti ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e të prekurve janë persona të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
IKShPK ka paralajmëruar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël.Gjatë këtij viti, përmes aktiviteteve të vaksinimit plotësues, janë vaksinuar mbi 4 mijë e 187 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç.Instituti u ka bërë thirrje prindërve të kontrollojnë kartelat e vaksinimit dhe të plotësojnë dozat e munguara.
Po ashtu, IKShPK ka rekomanduar kujdes të shtuar për foshnjat nën 12 muaj, duke kufizuar ekspozimin e tyre në ambiente të mbyllura dhe të mbipopulluara.
Sipas Institutit, vaksinimi në kohë mbetet mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e fruthit.
