Edita Doli, prezantuesja e emisionit “Radar” në RTV Dukagjini, ka publikuar një mesazh që i ka ardhur nga një grua e identifikuar si Lirika Hasani-Aliu, e prezantuar si vajza e dajës së Endrit Azemit, i dyshuar për mashtrim përmes platformës “GoFundMe”.
Në mesazhin e publikuar, gruaja thotë se kishte paralajmëruar vazhdimisht për kujdes në rastet e mbledhjes së parave dhe kishte kërkuar që ato të konfirmoheshin para se të bëheshin donacionet.“Qindra herë e kam ngritur zërin dhe ju kam lutur të keni kujdes. Mos u ngutni të çoni të holla pa e konfirmuar rastin. I ndërrojnë numrat e llogarive bankare edhe te rastet që janë përnjëmend”, thuhet në mesazh.
Ndërkaq, Doli ka thënë se vetë nuk kishte rënë pre e këtij rasti, duke shtuar se përvoja 14-vjeçare i kishte mësuar të ishte e kujdesshme dhe t’i konfirmonte rastet.“Unë nuk rashë. Sigurisht, përvoja jonë prej 14 vjetësh na ka mësuar të kemi kujdes dhe t’i konfirmojmë rastet”, ka shkruar ajo.
Endrit Azemi është arrestuar të dielën nën dyshimin se ka përfituar afro 200 mijë euro përmes një fushate mashtruese në “GoFundMe”, duke u paraqitur rrejshëm si i sëmurë nga leukemia akute.
Hetimet fillestare të Prokurorisë kanë ngritur dyshime se bëhet fjalë për mashtrim.

