Përdorimi i vetëm dy cigareve me duhan të ngrohur IQOS mund të shkaktojë ndryshime të menjëhershme në funksionin e enëve të gjakut, të rrisë tensionin e gjakut dhe të shkaktojë dëmtime të ADN-së në qelizat e gjakut. Ky është përfundimi i një studimi të ri shkencor të realizuar nga studiuesit e Qendrës Mjekësore Universitare të Mainz-it në Gjermani, rezultatet e të cilit janë publikuar në revistën shkencore “European Journal of Preventive Cardiology”.
Studimi shqyrtoi efektet e menjëhershme të përdorimit të produkteve të duhanit që ngrohen në vend që të digjen, duke u përqendruar te pajisja IQOS. Rezultatet treguan se edhe një ekspozim i vetëm mund të ndikojë në sistemin kardiovaskular dhe në nivelin qelizor, duke vënë në pikëpyetje pretendimet se këto produkte janë dukshëm më pak të dëmshme për shëndetin sesa cigaret tradicionale.
Në eksperiment morën pjesë 30 duhanpirës të rritur, me moshë mesatare 34,5 vjeç. Para përdorimit të pajisjes, studiuesit matën tensionin e gjakut, morën mostra gjaku dhe kontrolluan funksionimin e enëve të gjakut përmes ekzaminimeve me ultratinguj.
Më pas, pjesëmarrësit konsumuan nga dy cigare me duhan të ngrohur, të quajtura HEETS, përmes pajisjes IQOS. Pas përfundimit të përdorimit, matjet u përsëritën për të identifikuar ndryshimet në organizëm.
Sipas rezultateve, funksioni i enëve të gjakut u përkeqësua me rreth 11 për qind, ndërsa tensioni sistolik u rrit mesatarisht me 3 mmHg. Studiuesit konstatuan gjithashtu rënie të ndjeshme të ngopjes së gjakut venoz me oksigjen, nga rreth 71 për qind në 46 për qind.
Një tjetër gjetje shqetësuese ishte dëmtimi oksidativ i ADN-së në qelizat e gjakut. Për identifikimin e këtij dëmtimi u përdor metoda laboratorike e njohur si “Comet assay”, e cila mundëson vlerësimin e dëmtimeve të materialit gjenetik. Megjithatë, kjo analizë u krye vetëm në mostrat e gjashtë pjesëmarrësve.
Studiuesit theksojnë se produktet me duhan të ngrohur, ndonëse nuk e djegin duhanin si cigaret tradicionale, përsëri çlirojnë nikotinë dhe përbërës të tjerë që mund të ndikojnë në funksionimin e organizmit. Sipas tyre, nikotina mund të nxisë rritjen e tensionit të gjakut, ngushtimin e enëve të gjakut dhe dëmtimin e funksionit të tyre.
Gjetjet vënë në pikëpyetje pretendimet se produktet me duhan të ngrohur përbëjnë një alternativë dukshëm më pak të dëmshme për sistemin kardiovaskular sesa cigaret e zakonshme.
Megjithatë, autorët bëjnë një dallim të rëndësishëm: studimi ka matur vetëm efektet e menjëhershme pas përdorimit dhe nuk ka përcaktuar nëse dëmtimet e vërejtura janë të përhershme apo sa kohë zgjasin. Për këtë arsye, nevojiten studime më të gjera dhe me ndjekje afatgjatë për të kuptuar pasojat e përdorimit të vazhdueshëm të këtyre produkteve.
