Shkalla e parë e Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka dënuar me 17 muaj burgim ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për rastin e pengimit në drejtësi.
Thaçi u shpall fajtor për disa pika të aktakuzës.Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj për Hajredin Kuçin.
Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte.10:28 – Gjyqtari Gosnell: Këto janë provat kryesore të Prokurorisë ndaj Thaçit
Kryetari i trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë në rastin e dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Christopher Gosnell tha se rpovat kryesore të Prokurorisë së Specializuar ndaj të akuzuarve janë audio-incizimet.
Gosnell tha se audio-incizimet derivojnë nga pesë vizita dhe biseda mes të akuzuarve.
Të akuzuar për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë në këtë rast janë Hashim Thaçi, Isni Kilaj, Fadil Fazliu, Hajredin Kuçi dhe Bashkim Smakaj.
“Provat kryesore të kësaj çështje gjyqësore janë audio-incizimet e pesë vizitave mes z. Thaçi dhe të akuzuarve të tjerë. Këto audio-incizime u autorizuan nga gjykata”, tha Gosnell derisa shpjegoi akuzat.10:08 – A mund t’i shtohen Thaçit edhe gjashtë vjet burgim?
Derisa presim transmetimin e seancës nga Haga, një nga pyetjet kryesore është nëse Hashim Thaçit mund t’i shtohen vite të tjera burgimi, pas dënimit me 25 vjet për krime lufte.
Prokuroria ka kërkuar që, nëse Thaçi dënohet edhe për pengim të drejtësisë, gjashtë vjet burgim t’i shtohen dënimit të mëparshëm.
Mathias Holvoet, ligjërues i së Drejtës Penale Ndërkombëtare në Universitetin e Amsterdamit, thotë për Radion Evropa e Lirë se një praktikë e tillë është e zakonshme në gjykatat penale ndërkombëtare.
Sipas tij, nëse gjykata e pranon kërkesën e Prokurorisë, Thaçi mund të përballet me dy dënime që së bashku arrijnë në 31 vjet burgim.
A mund t’i shtohen Thaçit vite të tjera burgimi?
Megjithatë, vendimi nuk është i paracaktuar. Gjykata duhet së pari të vendosë për fajësinë, ndërsa kohëzgjatja përfundimtare e burgimit do të varet edhe nga proceset e apelit.
Në rast se Thaçi shpallet i pafajshëm, dënimi i tij prej 25 vjetësh nuk do të ndryshojë automatikisht, pasi bëhet fjalë për dy procese të ndara gjyqësore.
A mund të apelohet aktgjykimi i sotëm ndaj Thaçit?
Aktgjykimi që shpallet sot ndaj Hashim Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve të tij është i shkallës së parë dhe nuk është përfundimtar.
Si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë në Gjykatën e Apelit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Nëse paraqitet apel, gjyqtarët e Apelit mund ta konfirmojnë, ndryshojnë ose anulojnë aktgjykimin, si dhe të urdhërojnë rigjykim, sipas rrethanave të rastit.
08:46 – Sot shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit në rastin e dytë
Ish-Presidenti Hashim Thaçi pret sot një aktgjykim tjetër në Hagë, këtë herë për akuza që mbrojtja i kundërshton si të paprovuara dhe juridikisht të gabuara.
Gjykatësi Christopher Gosnell e ka caktuar shpalljen e vendimit për sot, në orën 10:00, duke urdhëruar paraqitjen e të pesë të akuzuarve.
Krahas ish-presidentit, vendimin do ta dëgjojnë ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Në qendër të përplasjes mes palëve janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në paraburgim: çfarë është thënë, kush ka folur dhe çfarë provojnë ato.
Prokuroria i interpreton këto materiale si dëshmi të përpjekjeve për ndërhyrje te dëshmitarët. Avokatët e Thaçit kundërshtojnë si interpretimin, ashtu edhe besueshmërinë e transkripteve.
Në parashtrimin përfundimtar, mbrojtja pretendon se hetimet nuk siguruan prova për kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët në emër të ish-presidentit.
Sipas avokatëve, pjesë të bisedave ishin të pakuptueshme, ndërsa transkriptimi nga personeli i Prokurorisë rrezikonte të ndikohej nga pritshmëritë e vetë hetuesve.
Mbrojtja kundërshton edhe trajtimin si konfidencial të informacioneve që, sipas saj, njiheshin publikisht ose përbënin kujtime të përbashkëta të Thaçit me vizitorët.
Avokatët argumentojnë gjithashtu se dispozitat penale janë interpretuar përtej kuptimit që kanë në praktikën gjyqësore të Kosovës. Këto mbeten argumente të mbrojtjes, ende pa vlerësimin përfundimtar gjyqësor.
Për çështjen e transkriptimit dëshmoi ekspertja Helen Fraser, e thirrur nga mbrojtja. Ajo vlerësoi se besueshmëria e transkripteve ishte e ulët.
Megjithatë, Fraser sqaroi se nuk mund të pohonte se transkriptet ishin të gabuara. Ajo pranoi gjithashtu kufizimin që vinte nga mosnjohja e shqipes.
Kritika e saj lidhej me metodën e përdorur dhe mungesën e garancive të mjaftueshme për saktësinë e materialit të paraqitur.
Prokuroria e kundërshton këtë vlerësim. Ajo mbështetet te incizimet, dokumentet që pretendon se i përforcojnë ato dhe verifikimet nga njësia gjuhësore e gjykatës.
Në fjalën përmbyllëse, prokurori Joshua Hafetz përmendi rreth 28 orë biseda të regjistruara gjatë nëntë vizitave, të shpërndara përgjatë katër muajve.
