Ukraina lëshoi gati 1.200 dronë ndaj objektivave ruse gjatë natës, në një nga sulmet e saj ajrore më të mëdha që prej pushtimit të plotë nga Moska, gati pesë vjet më parë.
Ndërkohë, negociatorët amerikanë dhe rusë ngritën peshën e bisedimeve për ndalimin e luftimeve duke përfshirë për diskutim edhe marrëveshje më të gjera të sigurisë evropiane, që janë në fuqi që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ky ndryshim, i kërkuar prej kohësh nga Moska, ka alarmuar liderët evropianë dhe ka vënë një pikëpyetje mbi rolin e ardhshëm të NATO-s.
“Rusia dëshiron të flasë për çështjet e arkitekturës së sigurisë evropiane. Ne nuk kemi nevojë të flasim për këtë. Ekziston një e tillë,” tha kancelari gjerman Friedrich Merz, duke iu referuar NATO-s, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Pas dy ditësh bisedimesh me delegacionet ruse dhe ukrainase në Abu Dhabi këtë javë, të dërguarit amerikanë i informuan presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ishte në Dublin të Irlandës për të takuar liderët evropianë.
Janë planifikuar bisedime të tjera, ndërsa negociatorët kërkojnë një përparim në përpjekjet për paqe, sipas të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Një ekip diplomatësh nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Bashkimi Evropian do të dërgohet në bisedime, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, pas një takimi në Dublin. Seanca u dominua nga përpjekjet evropiane për të shmangur anashkalimin në negociatat e udhëhequra nga SHBA-ja.
Kushner, i cili është edhe dhëndri i presidentit Donald Trump, tha se Rusia ka rënë dakord që Evropa të përfshihet në bisedimet e ardhshme, pas këmbënguljes së gjatë të Moskës se qeveritë e kontinentit duhet të përjashtohen, sepse mbështetën Ukrainën.
Prania e Evropës në tryezë do t’i lejojë negociatorët “të trajtojnë marrëveshjet më të gjera evropiane të sigurisë pas luftës, paralelisht me çështjet territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë,” tha Kushner në X.
