13 nëntor 2026 – Ish-inspektori i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviç, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare se Milan Radoiçiç është larguar nga territori i Serbisë dhe ka shkuar drejt Rusisë.
Duke folur në televizionin N1, Zvezdanoviç tha se këtë informacion e ka marrë nga burime brenda BIA-s.
I pyetur nëse Radoiçiç është larguar me lejen e autoriteteve apo në mënyrë të paligjshme, ai u përgjigj se në pushtet është ende Partia Përparimtare Serbe dhe se Radoiçiçit nuk i është dashur leje për t’u larguar.Sipas tij, largimi i Radoiçiçit ka shqetësuar edhe një pjesë të drejtuesve të lartë të BIA-s, të cilët, siç pretendon ai, kishin lidhje biznesi dhe kriminale me të.Radoiçiç-it i ndalohej dalja nga Serbia
Radoiçiç përballet me akuza për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, më 24 shtator 2023, ku mbetën të vrarë tre sulmues serbë dhe një polic i Kosovës.
Me vendim të gjykatës, atij i ishte marrë pasaporta dhe i ishte ndaluar largimi nga Serbia. Gjithashtu, ishte detyruar të paraqitej në stacionin policor çdo datë 1 dhe 15 të muajit.
Televizioni N1 i është drejtuar Gjykatës së Lartë më 29 tetor për të pyetur nëse Radoiçiç po e respektonte këtë detyrim, por nuk ka marrë përgjigje.
Sipas akt-akuzës, nga janari deri më 24 shtator 2023, Radoiçiç dyshohet se kishte siguruar armë, municione dhe eksplozivë me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla e Bosnjë-Hercegovinës. Armët dërgoheshin në Beograd dhe më pas transportoheshin e fshiheshin në vende të ndryshme në territorin e Kosovës.
Në atë kohë, Radoiçiç ishte nënkryetar i Listës Serbe, por dha dorëheqjen pesë ditë pas ngjarjeve në Banjskë, pasi përmes avokatëve pranoi se e kishte organizuar personalisht sulmin.
Zvezdanoviç: Ngjarja në Banjskë pati pasoja të rënda për Serbinë
Duke komentuar sulmin në Banjskë, Zvezdanoviç tha se ngjarja duhet parë në një kontekst më të gjerë politik dhe gjeopolitik.
Sipas tij, sulmi ndikoi në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të cilat parashikonin largimin e institucioneve serbe nga veriu i Kosovës.
Ai pretendon se, përmes pranimit të këtyre marrëveshjeve dhe zbatimit të tyre, autoritetet serbe u gjendën në një situatë të vështirë politike.
Zvezdanoviç e cilësoi ngjarjen në Banjskë si një veprim që i shkaktoi dëme të mëdha interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë. Ai gjithashtu pretendon se pas sulmit, më shumë se 40 për qind e serbëve janë larguar nga veriu i Kosovës.
Ish-inspektori tha se lidhjet mes BIA-s dhe Radoiçiçit kanë qenë të forta, por shtoi se vetëm një hetim mund të përcaktojë nëse agjencia kishte dijeni për sulmin në Banjskë apo nëse kishte marrë pjesë në organizimin e tij.
Në përfundim, ai paralajmëroi se largimi i Radoiçiçit mund ta bëjë më të vështirë zbardhjen e plotë të ngjarjeve, pasi ai mund të mos jetë i arritshëm për autoritetet e reja që mund të kërkojnë të hetojnë rastin.
