Trumpi ndryshon kursin për Iranin: “Nuk na duhet marrëveshje”, Vance merr një detyrë të re

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se vendi i tij nuk ka nevojë për një marrëveshje me Iranin dhe e udhëzoi nënpresidentin JD Vance, i cili ka luajtur rol në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit, që ta përqendrojë “vëmendjen e tij të plotë” në dyshimet për krim e korrupsion në qytetet dhe shtetet amerikane që qeverisen nga demokratët.

Udhëzimi i Trumpit erdhi një ditë pasi gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se Vance ishte duke shqyrtuar bisedime të paqes sy më sy me një zyrtar iranian të sigurisë dhe një javë pasi nënpresidenti e fajësoi luftën e kushtueshme me Iranin për humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komentet e Trumpit shënuan ndryshim të tonit, pasi në javët e fundit kishte sugjeruar se Irani do të ishte më i gatshëm për të nënshkruar një marrëveshje për konfliktin pas zgjedhjeve amerikane.

“Nuk na nevojitet një marrëveshje me Iranin. Ato ditë kanë kaluar qe një kohë të gjatë. I kemi paratë e tyre, qindra miliarda dollarë, dhe e kemi Ngushticën [e Hormuzit]” – shkroi Trumpi në rrjete sociale, duke iu referuar rrugës detare jetike afër Iranit, ku ushtria amerikane ka punuar për të siguruar qarkullim të sigurt për transportin detar ndërkombëtar.

Trumpi tha se ka kërkuar nga Vance që të përqendrohet në një çështje të brendshme – t’i udhëheqë përpjekjet për t’i shënjestruar mashtrimet që gjoja janë duke ndodhur në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët në mbarë ShBA-në.

“Buxheti ynë do të mund të baraspeshohej shpejt me korrigjimin e këtij aktiviteti kriminal të shkallës së lartë. Korrupsioni është në gjakun e udhëheqjes demokrate” – shkroi Trumpi të enjten.

Zyra e nënpresidentit Vance nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME