Biznesmeni prizrenas publikon faturën e rrymës: 157 mijë euro për një muaj, një kWh kushton 31.2 centë

Biznesmeni nga Prizreni, Alajdin Fusha, ka ngritur shqetësimin për koston e lartë të energjisë elektrike për prodhuesit vendorë, duke publikuar një faturë prej 157 mijë eurosh që, sipas tij, fabrika e tij ka pranuar nga KESCO.

Përmes një reagimi publik, Fusha ka bërë të ditur se fatura, e pranuar më 9 nëntor 2026, kap vlerën e 157,884.67 eurove për 505,974 kilovatë-orë (kWh) energji elektrike të faturuar.Sipas llogaritjeve të tij, kur përfshihen të gjitha kostot e furnizimit, rrjetit dhe TVSH-së, çmimi i një kilovat-orë arrin në 0.312 euro, përkatësisht 31.2 centë.

Ai ka shtruar pikëpyetje se si mund të mbijetojë dhe të jetë konkurrues prodhimi vendor me këto kosto të energjisë elektrike.

Fusha ka theksuar se energjia është një nga shpenzimet kryesore të industrisë përpunuese, duke ndikuar drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të produkteve, mundësinë e investimeve dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Si shembull, ai ka përmendur prodhimin e qumështit dhe përpunimin e produkteve bujqësore, ku përveç lëndës së parë, prodhuesit duhet të përballojnë edhe shpenzimet e energjisë, ambalazhimit, pagave, transportit dhe tatimeve.

Biznesmeni ka bërë të ditur se kompania e tij ka investuar më herët në panele solare për të zvogëluar varësinë nga energjia e blerë, por ka ngritur shqetësimin për fabrikat që nuk kanë pasur mundësi të bëjnë investime të tilla.

Ai i është drejtuar publikisht ministres së Ekonomisë, Mimoza Kusari-Lila, duke kërkuar që institucionet të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të mekanizmave për mbrojtjen e prodhuesve nga kostot e larta të energjisë elektrike.

Fusha ka bërë një paralele me diskutimet e fundit për monitorimin e tregut të naftës dhe mundësinë e rikthimit të çmimit tavan për derivatet, duke pyetur nëse masa të ngjashme mbrojtëse mund të shqyrtohen edhe për energjinë elektrike.

“Nuk po kërkojmë energji falas. Nuk po kërkojmë privilegje. Po kërkojmë kushte ekonomikisht të përballueshme për të prodhuar në Kosovë”, ka shkruar ai.Në reagimin e tij, biznesmeni ka paralajmëruar se kostot e larta mund t’i detyrojnë prodhuesit të rrisin çmimet, të zvogëlojnë prodhimin, të shtyjnë investimet apo edhe të ndërpresin aktivitetin.

Në fund, ai u ka bërë thirrje Qeverisë, Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të shqyrtojnë urgjentisht koston e energjisë për industrinë përpunuese, transparencën e formimit të çmimeve dhe mundësinë e mbështetjes për investimet në energji të ripërtëritshme.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME