Përdorimi i mjeteve speciale nga Policia e Shtetit gjatë protestave të fundit ka nxitur debate të forta politike dhe publike, teksa pikëpyetjet mbi origjinën e tyre u ngritën sot gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë.
Zhurmës dhe pretendimeve se këto pajisje erdhën si ndihmë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan për qeverinë e kryeministrit Edi Rama, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, i është përgjigjur duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për blerje nga buxheti i shtetit dhe as për dhuratë, por për mjete të marra në përdorim nga strukturat partnere.
Gjatë fjalës së tij në komision, Hitaj u shpreh:“Zero lekë nga buxheti i shtetit për këto mjete. Përderisa nuk është shpenzuar asnjë lek, s’ka vend për diskutim. Policia përdor pajisjet speciale që ka në dispozicion dhe i përdor ato në bazë të ligjeve dhe dokumenteve përkatëse.
Këtu përfshihen mjetet speciale, autobotet, dronët dhe mjetet e tjera që përdoren gjatë protestave. Ato janë marrë në përdorim nga policitë partnere dhe nuk janë dhuruar.”
Pavarësisht këmbënguljes së anëtarëve të komisionit për të mësuar emrin e saktë të shtetit që vuri në dispozicion të policisë shqiptare këtë logjistikë (ku përfshihen autobotet me ujë, dronët dhe mjetet e tjera teknike), kreu i Policisë së Shtetit zgjodhi të shmangej, duke mos përmendur asnjë vend konkret.
Kjo shmangie lan hapësirë për aludime, ndërkohë që në rrjetet sociale dhe mediatike ka qarkulluar gjerësisht lajmi se logjistika speciale dhe mjetet e ndërhyrjes mbërritën pikërisht nga Turqia.
