Dardan Bujupi, djali i ish-deputetes dhe ish-këshilltares së presidentes Vjosa Osmani, zyrtar në Ministrinë e Ekonomisë, dyshohet se është kërcënuar me armë të hënën gjatë një incidenti në objektin e Ministrisë.
Siç raporton sot Gazeta Express bazuar në burime, Bujupi është ndjekur me revole nga Sami Shaqiri, një koleg i tij në Ministrinë e Ekonomisë.
Një mosmarrëveshje rreth një komisioni disiplinor dyshohet se i ka paraprirë këtij kërcënimi, raporton Express, transmeton Paparaci.
Konflikti kishte nisur rreth një komisioni disiplinor ku bënte pjesë Shaqiri. Bujupi kishte refuzuar të merrte pjesë në komision, me arsyetimin se ishte epror i Shaqirit. Para incidentit, Shaqiri i kishte kërkuar Bujupit me email t’ia plotësonte një formular. Bujupi i ishte përgjigjur që ta plotësonte vetë dhe t’ia sillte për nënshkrim.
Sipas të njëjtave informacione, Shaqiri më pas dyshohet se e ka ndjekur Bujupin deri në tualetin e ministrisë, ku dyshohet se e ka kërcënuar me armë.
Gazeta Express raportoi se Shaqiri është arrestuar pas incidentit të hënën.
