Media konservatore iraniane përfshijnë Shqipërinë, Greqinë, Italinë dhe disa vende të tjera evropiane në listën e objektivave të mundshëm.
Shqipëria është përmendur mes vendeve evropiane ku infrastruktura ushtarake amerikane mund të bëhet objektiv i sulmeve iraniane, në rast të një përshkallëzimi të ri të konfliktit mes Teheranit dhe Washington-it.
Sipas një raportimi të Iran International, gazeta konservatore iraniane Kayhan ka paralajmëruar se objektet ushtarake amerikane dhe të NATO-s mund të goditen edhe në zemër të Evropës, nëse rifillojnë sulmet amerikane dhe izraelite kundër Iranit.
Në raportim përmenden instalime ushtarake në Qipro, Greqi, Rumani, Shqipëri, Itali dhe Britani, si dhe baza e përbashkët amerikano-britanike në Diego Garcia, në Oqeanin Indian.
Paralajmërimet pasojnë një deklaratë që i atribuohet udhëheqësit suprem iranian, Mojtaba Khamenei, për përgatitjen e forcave të armatosura për kundërpërgjigje pa kufizime gjeografike.
Zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia, deklaroi se një konflikt i ri mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme.“Nëse ndodh një tjetër sulm, gjeografia e luftës mund të zgjerohet përtej Azisë Perëndimore”, tha ai.
Edhe komandanti i lartë i forcave Basij, Ghassem Ghorayshi, deklaroi se ushtria iraniane nuk do të kufizohej më nga parametrat e mëparshëm për rrezen e raketave dhe përzgjedhjen e objektivave.
Megjithatë, deklaratat nuk provojnë se Irani ka zhvilluar raketa të reja me rreze të gjatë veprimi apo ka ndryshuar zyrtarisht doktrinën ushtarake.
Gazeta iraniane Hamshahri ka ngritur gjithashtu mundësinë e goditjes së bazave ajrore, qendrave logjistike dhe infrastrukturës mbështetëse amerikane në Evropë.Sipas raportimit, në mediat iraniane janë diskutuar rreze goditjeje prej 4 mijë deri në 5 mijë kilometrash, por këto vlerësime mbeten të kontestuara.
Qendra amerikane për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerëson se raketat kryesore balistike iraniane kanë përgjithësisht rreze rreth 2 mijë kilometrash, ndërsa disa variante mund të arrijnë deri në 3 mijë kilometra.
Paralajmërimet janë shoqëruar me kërkesa të reja të Teheranit për përfundimin e luftës, përfshirë heqjen e sanksioneve, lirimin e aseteve të ngrira, dëmshpërblimet dhe garancitë kundër sulmeve të ardhshme.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike të ndërmjetësuara nga Katari, palët mbeten larg një marrëveshjeje.
