Gazetari Artan Hoxha, në një intervistë për News24, ka komentuar zhvillimet politike në vend, duke u ndalur te qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj dialogut dhe raportet e qeverisë me ndërkombëtarët. Hoxha u shpreh se me kryeministrin Rama është e vështirë të zhvillohet dialog, pasi sipas tij, ai nuk e njeh këtë mënyrë komunikimi. Si shembull, ai solli protestat e studentëve të vitit 2018, duke pretenduar se Rama i detyroi ata të dëgjonin qëndrimin e tij.
Hoxha kritikoi gjithashtu opozitën, duke deklaruar se ajo duhet të ndryshojë qasje dhe të jetë më shumë në shërbim të qytetarëve nëse synon të vijë në pushtet. Sipas gazetarit, qeveria aktuale po përballet me një sërë skandalesh, ndërsa vuri në dukje se disa përfaqësues të mazhorancës janë nën hetim ose përballë drejtësisë.
Një pjesë e analizës së Hoxhës iu kushtua marrëdhënieve të Ramës me partnerët ndërkombëtarë. Ai pretendoi se kryeministri ka humbur kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe se mediat e huaja po e portretizojnë gjithnjë e më shumë si një autokrat. Sipas tij, Rama po humbet mbështetjen që ka pasur deri më tani nga ndërkombëtarët.
Ai përmendi rastin e regjistrimit të Ron Yeffet, duke pretenduar se ky rast ka tërhequr vëmendjen e një diplomati të një vendi mik të Shqipërisë, i cili ka kontakte edhe me shërbimet gjermane dhe britanike.
Hoxha përfundoi se kryeministrit po i pritet “tubi i oksigjenit” që merrte nga ndërkombëtarët, duke sugjeruar se mbështetja e mëparshme po shteron.
Ai theksoi se raportet e mediave ndërkombëtare ndikojnë në mënyrën se si drejtuesit e vendeve të BE-së dhe SHBA-së e shohin situatën në Shqipëri.
