Masat e reja të qeverisë shqiptare kundër protestave kanë tërhequr vëmendjen e medias britanike “The Guardian”, sipas së cilave protestuesit mund të gjobiten me “mbi 6 mijë dollarë edhe nëse nuk kanë kryer personalisht akte dhune”.
Sipas “The Guardian”, këto masa vijnë në një kohë kur demonstratat kundër qeverisë, që prej muajsh mbajnë të tensionuar kryeqytetin, janë përshkallëzuar ditët e fundit në përplasje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Media britanike e përshkruan lëvizjen protestuese si një lëvizje pa një udhëheqës të përcaktuar, e cila nisi në maj me kundërshtimin e projektit për ndërtimin e një hoteli luksoz në një rezervat natyror, të mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.Në mesin e tetorit, lëvizja mori një tjetër drejtim, duke u shndërruar në protesta të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit të perceptuar, mangësive në sistemin shëndetësor dhe mungesës së perspektivës për të rinjtë në Shqipëri.
Gjoba që kalon disa paga mujore
Sipas artikullit të “The Guardian”, masa e re parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë, të barasvlershme me rreth 5,500 euro ose 6,130 dollarë, për personat që qëndrojnë në një turmë ku kryhen akte dhune ose grabitjeje në hapësira publike, edhe nëse nuk i kryejnë vetë këto akte.
Media britanike vë në dukje se paga mesatare bruto në Shqipëri është rreth 930 euro në muaj, duke e vendosur gjobën maksimale në një nivel disa herë më të lartë se paga mesatare mujore.
Përveç gjobave, policisë i janë dhënë kompetenca për të kufizuar përkohësisht grumbullimet në zona të caktuara, përfshirë pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, në rast se ekziston rreziku i dhunës.
Masat përfshijnë gjithashtu sanksione për nxitjen e dhunës në internet dhe parashikojnë kompensim për bizneset e vogla që pësojnë dëme gjatë protestave. Vendimet kanë hyrë në fuqi menjëherë, por duhet të miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve për të mbetur në fuqi.
Rama u frymëzua nga Franca
“The Guardian” kujton se kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se ishte frymëzuar nga një projektligj francez, i cili synon t’i bëjë protestuesit financiarisht përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë demonstratave.
Ndërkohë, Rama ka fajësuar vazhdimisht “aktorë të huaj” për dhunën dhe ka akuzuar Rusinë dhe Iranin për përhapjen e dezinformimit në internet. Paralelisht, kryeministri ka bërë thirrje për dialog.
Raportimi i medias britanike vjen në një moment kur protesta studentore kundër qeverisë shqiptare ka hyrë në një fazë të re, ndërsa masat e njoftuara nga kryeministri përfshijnë gjoba të larta dhe kufizime të përkohshme të tubimeve publike.
