Partitë opozitare i kanë kërkuar llogari kryeministrit Albin Kurti për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Deputetet e PDK-së dhe LDK-së kanë bërë me dije se shteti ka dështuar për t`i ofruar mbrojtje Zekajt.
Sipas tyre, Kurti duhet t`i shkarkojë të gjithë përgjegjësit që lidhen me rastin.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur e tronditur me sjelljen e policisë në rastin e Pejës.
“Nuk të trondit vetëm polici që i thotë Arlindës se nuk është i obligum me u marrë me të. Të trondit profesori që nuk “merret me femra”. Të trondit kryeshefi që përdor gjuhë poshtëruese ndaj një gruaje. Sepse aty e kupton që kjo përbuzje ka gjetë vend gjithkund. Ka marrë tituj, ka veshë uniformë, ka marrë poste dhe pushtet. Gruaja përballë tyre duhet me luftu fillimisht për me u dëgju. Për me u trajtu me dinjitet. Pastaj për me marrë mbrojtjen që i takon. Sa dëshpëruese që ende duhet me e kërku edhe minimumin njerëzor. Arlinda e kërkoi ndihmën sa ishte gjallë. Sot secili që kishte përgjegjësi ndaj saj duhet me dhanë llogari”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.
Edhe deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka vlerësuar se kryeministri duhet të reagojë për këtë rast.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se tani duhen shkarkime nga kryeministri.“Miëmëngjesi! Në këtë video Arlinda po e lutë policin që me respektu vendimin e gjykatës në të cilin është pika , që djali i takon asaj. Polici, Faruku, i thotë se na e lexojna ndyshe vendimin, na e kena obligim veq deri te shpija me të qu. Një viktimë duke e lutë shtetin me zbatu vendimin e Gjykatës! Një nanë duke luftu për të drejtën e saj për djalin! Shkarkime, o kryeministër! A ndoshta edhe ti po e lexon vendimin ndryshe?”, ka shkruar ajo.
Shkarkime për rastin në fjalë janë kërkuar edhe dje në protestë.
Protesta në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn dhe për të gjitha gratë e vrara do të vazhdojë edhe sot.
Organizatorët e protestës me moton: “Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me ju dalë” kanë bërë me dije se protestat nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave e kërkesave të tyre.
Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në fjalimin e saj para ndërtesës së Qeverisë ka thënë se protestat do të vazhdojnë çdo ditë derisa të plotësohen kërkesat.
Para protestuesve, ajo ka bërë me dije se prej kërkesave të tyre është shkarkimi i ministres Donika Gërvalla dhe ministrit Xhelal Sveçla.
Gjithashtu, ajo ka thënë se kërkohet ndjekje penale ndaj atyre që kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt, e cila është vrarë të dielën nga ish-kunati i saj.
