Informacione të reja dhe me optimizëm janë zbuluar lidhur me gjendjen shëndetësore të Erjon Vishkullit, 28-vjeçarit të plagosur rëndë gjatë protestës së të shtunës në Tiranë.
Struktura e syrit të tij ka shpëtuar, përkundër komplikacioneve dhe hemorragjisë së pësuar gjatë ndërhyrjes së parë kirurgjikale.
Sipas informacioneve të përcjella nga rrethi i afërt i 28-vjeçarit, Vishkulli pritet të niset mëngjesin e së hënës drejt Romës në Itali, ku do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje të specializuar kirurgjikale për sanimin e plotë të dëmtimit.
Në mesazhin e bërë publik gjatë transmetimit televiziv News 24 thuhej: “Syri i tij ka shpëtuar, duhet t’i bëjnë edhe një operacion tjetër. Do niset nesër në mëngjes për në Romë. Zoti e shpëtoftë.”
Paralelisht me trajtimin mjekësor, plagosja e rëndë e të riut është përfshirë zyrtarisht në hetim. Prokuroria e Tiranës dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) kanë nisur veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e efektivit përgjegjës për goditjen me plumb gome.
