Një grup pedagogësh nga universitetet shqiptare janë bashkuar në një peticion në mbështetje të protestës së studentëve dhe të rinjve, duke i kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen si hap drejt qetësimit të situatës politike në vend.
Nisma, e cila deri më tani raportohet se ka mbledhur rreth 1 mijë firma nga pedagogë, synon të zgjerohet më tej dhe të përfshijë akademikë nga universitete të ndryshme të Shqipërisë.
Në deklaratën e tyre, pedagogët shprehin shqetësimin për dhunën e raportuar ndaj studentëve gjatë protestave dhe për atë që e cilësojnë si shkelje të të drejtave të njeriut.
Përmes një deklarate me pesë pika, ata kërkojnë dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila, sipas tyre, duhet të garantojë stabilitetin institucional, uljen e tensioneve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Një pjesë e rëndësishme e peticionit u drejtohet Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera përgjegjëse për rendin publik. Pedagogët kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të çdo akti dhune ndaj studentëve, si dhe refuzimin e urdhrave që ata i konsiderojnë të paligjshëm.
Nismëtarët u bëjnë gjithashtu thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të reagojnë publikisht për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, pedagogët u kërkojnë protestuesve të shmangin dëmtimin e bizneseve dhe të pronës publike e private, duke theksuar se dhuna dhe shkatërrimet nuk duhet të përdoren si justifikim për ndërhyrje të dhunshme ndaj protestës.
Deklarata e plotë
Të tronditur nga dhuna e pajustifikuar e ushtruar ndaj studentëve tanë dhe shkelja e dëshmuar e të drejtave të njeriut gjatë protestës, ne një grup pedagogësh:
I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila të sigurojë stabilitetin institucional, qetësimin e situatës dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.
2. I bëjmë thirrje policisë dhe aktorëve të tjerë të ruajtjes së rendit që të ndalojnë menjëherë çdo akt dhune ndaj studentëve dhe të refuzojë të zbatojë urdhëra të paligjshëm. Mos harroni se ata që ju japin këto urdhëra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju që jeni dokumentuar nga filmimet e qytetarëve dhe mediave.
3. I bëjmë thirrje përfaqësive diplomatike në Tiranë që të ndërhyjnë publikisht për respektimin e të drejtave të qytetarëve, njësoj siç respektohen të drejtat e qytetarëve në vendet tuaja.
4. I bëjmë thirrje protestuesve që të mbrojnë bizneset dhe pronën publike e private për t’i hequr çdo justifikim qeverisë për ushtrimin e dhunës dhe delegjitimimin e protestës.
5. I bëjmë thirrje qytetarëve të Tiranës, që njësoj si në 1991 t’u bashkohen studentëve për të pamundësuar dhunën ndaj tyre. Asnjë qeveri nuk ka mjaftueshëm policë e gaz lotsjellës për një popull të tërë.
