Trump shqyrton mundësinë që SHBA-ja t’i bashkohet Arabisë Saudite në sulmet kundër Houthëve

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes në sulmet e Arabisë Saudite kundër rebelëve Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani. Deklarata vjen pas një serie sulmesh të fundit dhe ofensivës së gjerë të nisur nga një koalicion i udhëhequr nga Riadi.

I pyetur nga gazetarët nëse Uashingtoni do t’i bashkohej operacioneve ushtarake saudite kundër grupit rebel, Trump nuk e përjashtoi këtë mundësi.“Mund të ndodhë, do ta shqyrtojmë”, u shpreh presidenti amerikan, duke shtuar se vendimi mund të merret shpejt.

“Do të marrim një vendim, ne veprojmë shumë shpejt”, deklaroi ai, transmeton Telegrafi.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj kanë intensifikuar së fundmi operacionet kundër Huthëve në Jemen, duke hapur një fazë të re të përballjes me grupin që mbështetet nga Teherani.

Përfshirja e mundshme e SHBA-së do ta zgjeronte rolin amerikan në këtë konflikt dhe mund të ndikonte në përshkallëzimin e tensioneve mes Uashingtonit dhe Iranit. Megjithatë, Trump nuk dha detaje për natyrën e mundshme të ndërhyrjes dhe as për afatin kohor të një vendimi.

Deri më tani, deklaratat e presidentit amerikan tregojnë vetëm se administrata e tij po e shqyrton këtë mundësi, pa konfirmuar nëse forcat amerikane do të marrin pjesë drejtpërdrejt në sulmet saudite. /Telegrafi/

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME