Gruaja e tretë që ulet në Presidencë, ky është profili i Justina Shiroka-Pulës

Akademikja Justina Shiroka-Pula është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës.

Shiroka-Pula, e cila deri tash ka udhëhequr Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), vjen në këtë pozitë me një karrierë të gjatë akademike dhe publike.Ajo ka lindur në vitin 1953 në Prishtinë. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka përfunduar në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Studimet pasuniversitare në fushën e Teorisë dhe Politikës së Zhvillimit Ekonomik i ka vijuar në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Zagrebit, ku është diplomuar në vitin 1984. Ndërsa, sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, doktoratën e ka përfunduar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.Karrierën akademike e nisi në vitin 1978 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, fillimisht si asistente në lëndën “Kërkimet Operacionale”. Gjatë viteve ajo avancoi në të gjitha nivelet akademike, ndërsa në vitin 2004 u zgjodh profesore ordinare.

Gjatë karrierës universitare, Shiroka-Pula ka shërbyer edhe si shefe e Departamentit të Menaxhmentit dhe Informatikës, anëtare e Senatit të UP-së dhe anëtare e Bordit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Ajo ka kryer edhe studime dhe trajnime post-doktorale jashtë vendit, përfshirë në Universitetin e Lincit në Austri dhe Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shiroka-Pula ka pasur edhe përvojë në politikë dhe në institucionet publike. Nga viti 2008 deri më 2011 ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Kosovës.

Ndërsa, gjatë viteve 2011–2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Para zgjedhjes në postin e presidentes, ajo ka drejtuar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME