Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike njëorëshe me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë së cilës kanë diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet energjetike, situatën në Ukrainë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Vuçiqi tha se biseda ishte “e rëndësishme, e mirë dhe përmbajtësore” dhe se lidhej me çështje të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë.
Një nga temat kryesore ishte marrëveshja për gazin mes Serbisë dhe Rusisë, e cila skadon më 30 shtator, shkruan danas.
Ai beson se marrëveshja do të zgjatet dhe se Serbia do të vazhdojë të sigurojë gaz me çmim të favorshëm.
Sipas tij, çmimi do të jetë rreth 318 euro për një mijë metra kub, ndërsa çmimi në tregun botëror, sipas shifrave që ai përmendi, është rreth 868 euro.
Vuçiqi tha se me Putinin kanë diskutuar edhe për të ardhmen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), duke shprehur shpresën se do të gjendet një zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të dyja palët.
Gjatë bisedës është diskutuar edhe për bashkëpunimin dypalësh, situatën në Ukrainë dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
Vuçiqi e falënderoi gjithashtu Putinin për ndihmën e dërguar nga Rusia për shuarjen e zjarreve në Serbi, duke thënë se kjo ndihmë kishte kontribuar në parandalimin e dëmeve më të mëdha.
Në fund të bisedës, Vuçiqi tha se e kishte njoftuar presidentin rus se nesër do të japë dorëheqjen nga posti dhe e falënderoi për bashkëpunimin gjatë 14 viteve të fundit.
Ai tha se shpreson që edhe presidentët e ardhshëm të Serbisë do t’i kushtojnë vëmendje interesave të vendit dhe do të ruajnë një qasje të ekuilibruar dhe të përgjegjshme ndaj aktorëve të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare.
