PDK pas vendimit të Kushtetueses: Kuvendi të mblidhet dhe ta votojë Projektligjin për Dhomat e Specializuara

Partia Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me kërkesat e saj për konstituimin e Kuvendit dhe themelimin e Qeverisë, duke kërkuar që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe ta trajtojë si pikë të parë Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në reagimin e saj, PDK ka vlerësuar se vendimi i Kushtetueses u jep përgjigje shqetësimeve që kjo parti kishte ngritur lidhur me tejkalimin e afateve kushtetuese dhe funksionalizimin e institucioneve.

Sipas PDK-së, vonesat në konstituimin e Kuvendit kanë penguar ushtrimin e përgjegjësive të këtij institucioni dhe kanë zgjatur pasigurinë institucionale.

Partia ka theksuar se tani Kuvendi ka edhe 13 ditë në dispozicion për ta përmbyllur procesin e konstituimit, për ta votuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, për ta zgjedhur Presidentin dhe, sipas saj, për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet menjëherë dhe të përfshijë si pikë të parë në rendin e ditës Projektligjin për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagim.

PDK e ka cilësuar votimin e kësaj nisme ligjore si “prioritet kombëtar”, duke e lidhur atë me përpjekjet për drejtësi dhe mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas partisë, vendimi i Kushtetueses krijon mundësi që proceset institucionale të vazhdojnë pa vonesa të tjera dhe që Kuvendi të rikthehet në funksion të plotë.

PDK edhe më herët ka mbajtur qëndrimin se funksionalizimi i Kuvendit dhe respektimi i afateve kushtetuese janë të domosdoshme për daljen nga ngërçi institucional.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME