Nga: Atdhe Gjoci
Nëse ka një tipar thelbësor që përcakton diskursin tonë shoqëror dhe elitat politike, është amnezia selektive dhe riciklimi brutal i historisë sipas nevojave të ditës. Ne jetojmë në një simulakër absurd ku figurat më markante i lakojmë dhe i instrumentalizojmë për përfitime momentale.
Ditëve të fundit jemi dëshmitarë të glorifikimit dhe denigrimit të figurave qendrore të historisë sonë moderne.
Ibrahim Rugova, i cili dikur kryqëzohej me epitetet e “tradhtarit” dhe “qyqarit”, sot lartësohet në panteon. Po ashtu, Hashim Thaçi, i cili dje anatemohej si “shpirt i shitur” apo “agjent i huaj”, sot ndriçohet nga flakadanët dhe për të kurdisen “orët e pritjes”. Albin Kurti sot quhet i shitur dhe agjent i Serbisë nga ata që dje e pritën si hero kur u lirua nga burgu.
Si është e mundur të ndodhë ky kapërcim ekstrem nga gjyqi në lavdi dhe e kundërta?
Nga këndvështrimi sociologjik dhe psikologjik, ky fenomen shpjegohet përmes konceptit të “Kujtesës kolektive instrumentale” (teorizuar nga Maurice Halbwachs). Sipas kësaj qasjeje, shoqëritë dhe veçanërisht elitat politike nuk e kujtojnë të kaluarën ashtu siç ka ndodhur realisht, por e rikonstruktojnë atë në mënyrë pragmatike për të legjitimuar interesat e së tashmes.
Për një elitë politike, heroi apo tradhtari nuk janë qenie njerëzore me vepra konkrete; ata janë thjesht valutë politike. Kur vlera e tyre bie, elitat zhvlerësojnë figurat rivale dhe ngrenë “heronj” nga hiçi, ndërsa blloku tjetër bën të kundërtën. Kur shoqëria kalon në krizë identiteti apo kur elita ka nevojë për një mit përbashkues, e njëjta figurë rishpallet “hero dhe vizionar”. Psikologjia e masave e pranon këtë lojë sepse vuan nga disonanca kognitive: politika u servir atyre një narrativë bardhezi për t’u shfajësuar dhe për të mbuluar dështimet e veta.
Një rast klasik historik që përputhet me këtë dinamikë është ai i Themistokliut në Athinën e lashtë. Ai ishte heroi absolut që shpëtoi Athinën nga Perandoria Perse. Por, sapo kaloi rreziku, elitat politike athinase e akuzuan si “të shitur” dhe e dëbuan nga qyteti me turp. Sapo rrethanat ndryshuan sërish dhe elitat patën nevojë për lavdinë e tij, historia u rishkrua dhe atij iu ngritën statuja. Ashtu si te ne sot, e vërteta ishte thjesht peng i tregut politik të momentit.
Ky polarizim nuk kursen as figura të sakrificës si Adem Demaçi, i cili nga një pjesë e shoqërisë shihet me përçmim, ndërsa nga një tjetër ngrihet në piedestal. Por kjo amnezi me përzgjedhje nuk ndalet te historia e re e tranzicionit apo e luftës së fundit; ajo shtrihet deri te shtyllat më të hershme të identitetit kombëtar. Sot, 558 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, shohim se si shfaqen zëra e rryma ekstremiste që e përdhosin figurën e tij, madje duke i legjitimuar këto fyerje edhe nëpër studio televizive.
A na duhet një “gjyq gjithëpopullor”?
Përballë këtij kaosi, a mund ta ndajmë patriotin nga tradhtari përmes një gjyqi të tillë?
Vetë kërkesa për një “gjyq popullor” është simptomë e së njëjtës sëmundje: gjyqet e turmës nuk kërkojnë të vërtetën faktike, por ushqejnë dhe legjitimojnë emocionin momental. Ne nuk mund të prodhojmë një verdikt të drejtë me një juri që vuan nga bipolariteti moral.
Këtë absurditet e zbërthen qartë filozofja Hannah Arendt, e cila nënvizon se në sferën politike, e vërteta faktike është gjithmonë më e pambrojtura përballë opinionit. Masat shpesh nuk kërkojnë fakte, por iluzione ngushëlluese; ato i shndërrojnë heronjtë në tradhtarë dhe tradhtarët në heronj, jo sepse ndryshon realiteti historik, por sepse ndryshon nevoja e tyre për t’u gënjyer.
Dhe krejt në fund: me këtë logjikë destruktive që ka kapluar diskursin tonë, ku asnjë figurë nuk lihet pa u zhvlerësuar e pa u tërhequr zvarrë, as Nënë Tereza s’paska qenë e ndershme, e shenjtore jo e jo!
