Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se do të ishte shumë i zhgënjyer nëse Kina do të furnizonte Iranin me armë, pas raportimeve se Pekini mund t’i dërgojë Teheranit sisteme të mbrojtjes ajrore.
Sipas një raporti të Reuters, Irani pritet të marrë brenda javëve në vijim një dërgesë prej 300 deri në 400 raketash për sistemet e mbrojtjes ajrore, të prodhuara në Kinë. Marrëveshja, sipas raportit, vlerësohet në rreth 60-70 milionë dollarë.
Më herët, edhe CNN raportoi se inteligjenca amerikane kishte vlerësuar se Kina po përgatitej t’i dërgonte Iranit sisteme të reja të mbrojtjes ajrore, ndërsa Teherani synon të forcojë kapacitetet e tij ushtarake me ndihmën e partnerëve të huaj.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale për raportimin e Reuters, Trump tha se një zhvillim i tillë do ta surprizonte.
“Do të ishte befasuese. Gjëra të tilla ndodhin, por kjo do të ishte vërtet e papritur. Xi më ka thënë shumë qartë se Kina nuk do të përfshihej dhe, nëse kjo rezulton e pavërtetë, do të zhgënjehesha shumë”, deklaroi presidenti amerikan.
