Joshua bën shqiponjën në prag të duelit historik në boks: Nuk e kam nënvlerësuar kurrë Kristjan Prengën, është shumë i rrezikshëm (Video)

Mes entuziazmit të tifozëve shqiptarë në Jeddah të Arabisë Saudite u zhvillua konferenca për shtyp para supersfidës së peshave të rënda mes Kristjan Prengës dhe Anthony Joshua. Përballja e së shtunës është përzgjedhur si eventi kryesor i mbrëmjes, që do të transmetohet nga platforma DAZN.

Për Anthony Joshua-n, ish-kampion bote në peshat e rënda, kjo ndeshje shënon rikthimin në ring pas një periudhe të gjatë mungese. Boksieri britanik kaloi një periudhë të vështirë pas aksidentit të ndodhur në fund të vitit 2025 në Nigeri, ku humbi dy miq të tij, ndërsa vetë shpëtoi me lëndime të lehta. Pas asaj tragjedie, Joshua ka deklaruar se synimi i tij është të rikthehet sërish në majën e boksit botëror.

Në krahun tjetër, për Kristjan Prengën kjo konsiderohet sfida më e rëndësishme e karrierës. Një fitore ndaj Joshua-s do t’i hapte rrugën drejt elitës së boksit profesionist. Edhe pse shumë analistë e shohin shqiptarin si jo favorit, Prenga është shfaqur plot besim se mund të surprizojë.

“Çdo boksier ka dobësitë dhe gabimet e veta në ring. I kam parë të gjitha ndeshjet e Anthony Joshua-s, sepse jam rritur duke e ndjekur. Ai është një nga boksierët më të mëdhenj, një legjendë, por unë i njoh dobësitë e tij dhe do t’ia tregoj të shtunën”, deklaroi Kristjan Prenga.

Edhe Joshua vlerësoi maksimalisht kundërshtarin shqiptar, duke theksuar se nuk e ka nënvlerësuar në asnjë moment. Prenga numëron 20 fitore në 21 ndeshje si profesionist, statistikë që sipas britanikut flet vetë.

“Është një boksier shumë i mirë dhe shumë i rrezikshëm, e them me bindje. E njoh, e kam studiuar dhe jam gati të përballem me të. Kam luftuar kundër më të mirëve, më të shpejtëve, më teknikëve dhe shumë kampionëve. Të shtunën do të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Anthony Joshua.

Britaniku refuzoi gjithashtu të komentonte mbi një duel të mundshëm me Tyson Fury-n, duke theksuar se fokusi i tij i vetëm është përballja me Prengën.

“Jo, jo dhe jo. Sot nuk do të flasim për Tyson Fury-n, por për kundërshtarin që kam përballë. Nuk mund të flas për të ardhmen pa respektuar fillimisht këtë skuadër dhe këtë ndeshje”, deklaroi Joshua.

Një nga momentet më të veçanta të konferencës erdhi në fund, gjatë pozimit tradicional “fytyrë më fytyrë”. Anthony Joshua iu afrua Kristjan Prengës dhe, në një gjest miqësor, të dy formuan me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, duke dhuruar një moment që u prit me ovacione nga tifozët shqiptarë të pranishëm në sallë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME