Dritan Goxhaj, zëdhënësi i protestave kundër Qeverisë Rama, i cili prezantohej si ish-ushtar i UÇK-së, është përgënjeshtruar me fakte.
Sot është publikuar dokumenti që tregon se ai kurrë nuk ka qenë në UÇK.
Dokumenti i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës i nxjerr në publik nga disa ish-epror të UÇK-së sqaron se Goxhaj në prill të vitit 1999 kishte refuzuar të bëhet pjesë e UÇK-së.
Njoftimi i nënshkruar nga Xheladin Gashi(Komandant Plaku) tregon edhe fjalët fyese që Goxhaj kishte thënë në momentin që kishte refuzuar t`i bashkohet UÇK-së.
“Më datë 14 Prill, 1999 në qendrën stërvitore të UÇK-ës në Helshan, erdhën si vullnetar në luftë për çlirimin e Kosovës katër oficera të Ushtrisë Shqiptare dhe konkretisht [pjesë e mbuluar]. I solli me një kerr Dritan Goxhaj. [Pjesë e mbuluar] Kur Dritan Goxhaj u largua për në Tiranë, shokët e tij që erdhën vullnetar, i thanë: “Po ti nuk do të qëndrosh me ne, në luftë për çlirimin e Kosovës?” Djali i Dilaverit me një mendjemadhësi të tepruar u përgjigj: “Nuk më ka marrë koka erë, si im atë, të vij në luftë në Kosovë”. Vullnetarët e ardhur nga perëndimi, u indinjuan nga përgjigjja që ai dha, por nuk patën mundësi të reagonin, sepse Dritan Goxhaj ndezi kerrin dhe u largua menjëherë, nga qendra stërvitore në drejtim të Tiranës”, thuhet në dokument.
Njoftimi në fjalë është publikuar edhe nga jkryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar Goxhaj është një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoma.
Derisa ka treguar fjalët e njeriut që ia dërguar dokumentin, Rama ka shkruar se edhe po të ia falnin krejt botën nuk do të hidhte asnjë pikë balte mbi flamurin e UÇK-së.
“Ej, trima, jo për një manipulator gjysëm taleban e gjysëm mitoman, po për krejt botën sikur të ma falin, nuk e hedh një pikë balte unë mbi flamurin e UÇK-së🇦🇱🦅🇽🇰 Dhe kush bën shaka me ndërhyrjen agresive të Iranit në këtë protestë, do ndihet shumë i turpëruar kur e vërteta të dalë në shesh, pasi e tërë kjo mjegull histerie digjitale të shpërndahet”, ka shkruar Rama.
Në protestën e djeshme në Tiranë, Dritan Goxhaj, është prezantuar si zëdhënës i protestës.
Para protestuesve, ai ka lexuar deklaratën me disa pika.
Në mes të tjerash, aty kërkohej që kryeministri Edi Rama të dorëhiqej pa kushte.
Kjo nuk është hera e parë që në protestat kundër qeverisë shqiptare në Tiranë keqpërdoret emri dhe flamuri i UÇK-së.
Ditë me parë, edhe OVL-UÇK ka reaguar në lidhje me këtë çështje, duke kërkuar që të moskeqpërdoret emri i UÇK-së.


