Putin paralajmëron Evropën: Do të shkatërrojmë këdo që përpiqet të sulmojë Kaliningradin!

Rusia ka të gjitha mjetet e nevojshme në dispozicion për të shkatërruar këdo që përpiqet të sulmojë enklavën ruse të Kaliningradit, paralajmëroi sot presidenti rus Vladimir Putin.

Putin po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me deklaratat e bëra më parë këtë muaj nga Ministri i Jashtëm Lituanez Kestutis Budrys, i cili tha se NATO duhet t’i tregojë Moskës se është e aftë të depërtojë në Kaliningrad.

Në një pyetje tjetër, në lidhje me raportet e shërbimeve të inteligjencës ruse se Ukraina ka dërguar operatorë dronësh në Letoni, presidenti rus përsëriti se çdo rajon që përbën kërcënim për Rusinë, konsiderohet një objektiv legjitim.

Në të njëjtën kohë, Putin siguroi se Rusia është e gatshme të vazhdojë bisedimet për një zgjidhje paqësore të luftës në Ukrainë. Ai sqaroi se deklaratat e tij të mëparshme, më 9 maj, se lufta po i afrohej fundit, bazoheshin në një analizë të fitimeve ruse në fushën e betejës.

Megjithatë, presidenti rus refuzoi të paraqiste një orar specifik për përfundimin e luftës.

Ai shtoi se pretendimet perëndimore se Moska po përgatitej për luftë me Evropën ishin “gënjeshtra” sepse Rusia “nuk ka kërcënuar kurrë dhe nuk kërcënon vendet evropiane”.

Ai theksoi gjithashtu se media perëndimore duhet të “turpërohet” për mënyrën se si e mbuloi sulmin ukrainas me dron në një konvikt studentor në rajonin e Luhanskut, për të cilin Rusia thotë se vrau 21 persona.

NATO thotë se droni që u rrëzua në Rumani ishte rus

Nga Astana e Kazakistanit, ku ndodhet për vizitë, Putin tha më parë se “askush nuk mund të thotë” se nga ka ardhur droni që u rrëzua sot në një ndërtesë apartamentesh në Galati të Rumanisë, “derisa të ekzaminohet nga ekspertë”, duke lënë të kuptohet se mund të jetë ukrainas.

Ai vuri në dukje gjithashtu se dronë të tjerë ukrainasë janë rrëzuar në vende të tjera kohët e fundit.

Megjithatë, Martin O’Donnell, një zëdhënës i Komandës Supreme Aleate të NATO-s për Evropën (SHAPE), konfirmoi se droni që u rrëzua në ndërtesë gjatë një sulmi në Ukrainën fqinje ishte me origjinë ruse.

Ambasadori i SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, dënoi “inkursionin e rrezikshëm” në një postim në Platformën X dhe u zotua se SHBA-të “do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende një kërkese për koment.

“Sjellja e rrezikshme e Rusisë përbën një rrezik për të gjithë ne”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pasi foli në telefon me Presidentin rumun, Nicos Danes, i cili njoftoi se konsullata ruse në qytetin e Konstancës do të mbyllet dhe konsulli do të dëbohet nga vendi.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME