Putini drejt gjykimit ndërkombëtar, Rama e Vuçiç nuk firmosin për Tribunalin Special

Por 12 vende anëtare të Këshillit të Europës, mes të cilave 4 janë anëtare të BE-së, nuk i janë bashkuar nismës. Bëhet fjalë për Hungarinë, Sllovakinë, Bullgarinë dhe Maltën. Ndërkohë nisma nuk u mbështet, deri më tani, as nga Shqipëria, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Katër vendet e tjera janë Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Turqia…

Shqipëria dhe Serbia janë dy nga 12 vendet anëtare të Këshillit të Europës që nuk kanë mbështetur ngritjen e një Gjykate Speciale, që ka si synim të gjykojë pushtimin rus të ukrainës. Ngritja e një Gjykate të tillë i hap rrugën gjykimit ndërkombëtar të Vladimir Putin, edhe pse Rusia ka deklaruar se nuk njeh një juridiksion të tillë. Gjykata Speciale ka marrë mbështetjen e vendeve anëtare të KiE, por edhe të pjesës dërrmuese të Bashkimit Europian, ndërkohë që nga Shqipëria dhe Serbia nuk i kanë dhënë mbështetje deri tani këtij procesi.

Rama, megjithëse ka shprehur haptazi mbështetjen për Ukrainën dhe Presidentin e saj Zelensky, në një deklaratë të fundit, është shprehur kritik ndaj Europës që ka mbyllur kanalet e komunikimit me Rusinë. “Mund të them se Evropa ka bërë një gabim të madh strategjik duke prerë çdo kanal me Rusinë. Evropa duhet të flasë gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë me të gjithë”, shprehej Rama.

Dhe duket se bazuar në këtë qëndrim të ri, Kryeministri ka përcaktuar edhe qëndrimin e Shqipërisë në raport me ngritjen e një Gjykate Speciale, e cila nuk dihet se sa do të përmbushë misionin për të cilin është ngritur.

“Momenti kur Rusia do të duhet të përgjigjet për agresionin e saj po afron”, shprehet Alain Berset, pasi 34 vende anëtare të Këshillit të Evropës, të cilin ai e drejton, si dhe Bashkimi Evropian (BE), Australia dhe Kosta Rika, shprehën gadishmërinë për t’iu bashkuar gjykatës së ardhshme speciale për Ukrainën, e cila synon të gjykojë pushtimin rus të atij vendi.

Në takimin në Kishinau (Moldavi), Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, në të cilin përfshihen ministrat e jashtëm të shteteve anëtare, miratoi një rezolutë që hedh themelet për “komitetin drejtues” të gjykatës së ardhshme.

Parimi i këtij organi të ri u lançua vitin e kaluar nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai nënshkroi një marrëveshje për këtë qëllim me Këshillin e Evropës, organin mbikëqyrës të të drejtave të njeriut në kontinent me 46 anëtarë, përfshirë Ukrainën. Ky organ i ardhshëm gjyqësor synon të anashkalojë pamundësinë e ndjekjes penale të “krimit të agresionit” në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN), e cila nuk njihet nga Moska.

Rusia, e përjashtuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2022, pas fillimit të luftës me Ukrainën, ka deklaruar se do t’i konsiderojë vendimet e gjykatës së ardhshme si “të pavlefshme”.

Komisioni Evropian me një deklaratë të veçantë bëri të ditur se do të kontribuojë me 10 milionë euro për krijimin e organit gjyqësor.

Por 12 vende anëtare të Këshillit të Europës, mes të cilave 4 janë anëtare të BE-së, nuk i janë bashkuar nismës. Bëhet fjalë për Hungarinë, Sllovakinë, Bullgarinë dhe Maltën. Ndërkohë nisma nuk u mbështet, deri më tani, as nga Shqipëria, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Katër vendet e tjera janë Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Turqia.

Kjo është hera e parë që nga proceset e Nurembergut (1945-1946), në Gjermani, dhe të Tokios (1948), në Japoni, pas Luftës së Dytë Botërore, që krijohet një tribunal ndërkombëtar për të gjykuar krimin e agresionit. Për arsye njëkohësisht politike dhe juridike, asnjëra nga dy gjykatat e krijuara nën kujdesin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), që zgjidh konfliktet mes shteteve, dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN), që gjykon gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, nuk mund të pretendonte se do të gjykonte një ditë presidentin rus Vladimir Putin për agresionin ndaj Ukrainës. Në teori, ky tribunal special mund ta bëjë këtë.

“Shtetet kanë kaluar një etapë vendimtare drejt ngritjes konkrete të tribunalit special dhe njohjes së përgjegjësive për agresionin ndaj Ukrainës”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset, duke shtuar se “momenti kur Rusia do të duhet të japë llogari për agresionin e saj po afrohet. Rruga që hapet përpara nesh është ajo e drejtësisë.”

“Krimi ndërkombëtar suprem”

Ideja për një tribunal special për krimin e agresionit u hodh disa ditë pas sulmit rus ndaj Ukrainës, më 24 shkurt 2022, nga juristi dhe avokati franko-britanik Philippe Sands, profesor i së drejtës në University College të Londrës. Në një opinion të botuar më 28 shkurt në “Financial Times”, autori i librit Retour à Lemberg (Albin Michel, 2017) bëri thirrje për hetimin e Vladimir Putinit për “krimin e agresionit, një ide e lindur në Nuremberg si ‘krim kundër paqes’”. Sipas tij, agresioni ndaj Ukrainës ishte i qartë dhe pa asnjë paqartësi. Që më 2 mars 2022, në Nju Jork, 141 nga 195 shtetet anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dënuan “agresionin kundër Ukrainës”. Kievi më pas e përqafoi idenë e Sands.

Historia e krimit të agresionit nisi më 20 nëntor 1945, në Nuremberg. Fuqitë aleate hapën procesin gjyqësor kundër drejtuesve nazistë dhe oficerëve të Rajhut të Tretë. Pas debatesh të forta juridike, koncepti i “krimit kundër paqes” dhe “luftës agresive” u pranua përfundimisht. Ironikisht, autorësia e konceptit i atribuohet një juristi sovjetik, Aron Trainin. Pikërisht ai e futi “agresionin” në historinë e së drejtës ndërkombëtare. Në vendimin e vitit 1946, gjyqtarët shkruanin se “nisja e një lufte agresive (…) nuk është vetëm një krim ndërkombëtar, por krimi ndërkombëtar suprem”.

I lënë në harresë gjatë Luftës së Ftohtë, e drejta ndërkombëtare rilindi në vitet 1990 me tribunalet penale ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën, si dhe më pas me nënshkrimin e Statutit të Romës (1998), që çoi në krijimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 2002. Megjithatë, ndonëse këto gjykata trajtojnë gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës, ato nuk e trajtojnë në praktikë krimin e agresionit.

Në fund të majit 2010, në Ugandë, një negociatë diplomatike e udhëhequr nga Christian Ëenaëeser, ambasador i Lihtenshtajnit në OKB, synoi aktivizimin e krimit të agresionit në Statutin e GJPN-së. Fuqitë e mëdha, me Shtetet e Bashkuara në krye, pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, kundërshtuan që ky krim të ndiqej penalisht me iniciativën e prokurorit të GJPN-së dhe kërkuan që vetëm Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ku ato kanë të drejtën e vetos, të mund të autorizonte procedurat për agresion.

Gjatë kësaj konference, shtetet miratuan përkufizimin e agresionit: “Me krim agresioni kuptohet organizimi, përgatitja, nisja ose ekzekutimi, nga një person i aftë të ushtrojë kontroll efektiv ose të drejtojë veprimin politik apo ushtarak të një shteti, i një akti agresioni që, për nga karakteri, rëndësia dhe shkalla e tij, përbën shkelje të qartë të Kartës së Kombeve të Bashkuara.” Ky përkufizim u shtua në Statutin e GJPN-së, por kufizimet e vendosura e bëjnë pak të mundur që ky krim të gjykohet ndonjëherë.

Anashkalimi i paralizës së GJPN-së

Ideja e një tribunali ad hoc për të gjykuar agresionin ndaj Ukrainës synon pikërisht të anashkalojë paralizën e GJPN-së. Ndërkohë, kjo gjykatë ka lëshuar që prej vitit 2022 urdhër-arreste ndaj drejtuesve rusë, përfshirë Vladimir Putinin, për krime që gjyqtarët do të duhet të përcaktojnë nëse përbëjnë gjenocid, krime kundër njerëzimit apo krime lufte. Negociatat për tribunalin zgjatën katër vjet, ndërsa finalizimi i marrëveshjes mori një vit, që nga njoftimi i përbashkët i Ukrainës dhe Këshillit të Europës më 9 maj 2025 në Lviv dhe nënshkrimi i marrëveshjes fillestare nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky më 25 qershor 2025 në Strasburg.

Christian Ëenaëeser e përshëndeti vendimin: “Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, deportimi i detyruar i fëmijëve, sulmet ndaj infrastrukturës civile, të gjitha këto ekzistojnë sepse ka luftë. Vetë lufta është krimi i vërtetë.” Philippe Sands pranoi nga ana e tij: “nuk e imagjinoja vërtet që kjo do të ishte e mundur.” Sipas tij, tribunali special është “një përgjigje ndaj atyre që thonë se e drejta ndërkombëtare ka marrë fund dhe se trashëgimia e vitit 1945 është zhdukur”.

Megjithëse shtetet duhet ende ta ratifikojnë idenë e tribunalit në parlamentet e tyre dhe të sigurojnë financimin, Kievi e përshëndeti zhvillimin. “Po bëjmë histori, si tribunali i Nurembergut tetëdhjetë vjet më parë”, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha. Ai shtoi se “marrëveshja e bën drejtësinë të pashmangshme. Putini donte të hynte në histori: ai do të hyjë në histori si kriminel.”

Ndryshe nga GJPN-ja, tribunali special mund të zhvillojë gjykime edhe në mungesë të të akuzuarit.

Fituesja ukrainase e Çmimit Nobel për Paqen 2022, Oleksandra Matviichuk, drejtoreshë e Qendrës për Liritë Civile, e konsideroi gjithashtu këtë “pa ekzagjerim, një hap historik”.
“Për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, drejtues politikë dhe ushtarakë do të përballen me një gjykatë ndërkombëtare për krimin e agresionit”, tha ajo.

Autoritetet ukrainase shpresojnë sidomos se, pas katër vitesh negociata, është kaluar “një pikë pa kthim”, siç u shpreh Sybiha. Kievi njeh veçanërisht rezervat e Shteteve të Bashkuara, ku presidenti Donald Trump mbështet një marrëveshje paqeje që përfshin kërkesat territoriale të Moskës. Rusia, nga ana e saj, kundërshton çdo ide drejtësie ndërkombëtare dhe argumenton se çdo konflikt duhet të përfundojë me amnisti. Iryna Mudra, këshilltare e presidentit Zelensky për drejtësinë ndërkombëtare, paralajmëroi edhe para njoftimit në Kishinau se “kjo mund të komplikojë negociatat e paqes”, por shtoi se “drejtësia nuk është e negociueshme, sepse ajo garanton një paqe të qëndrueshme”.

Mbështetësit e gjykimit të krimit të agresionit shpresojnë se tribunali special për Ukrainën mund të çojë edhe në reformimin e Statutit të GJPN-së, për të shmangur veton e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Zhvillimet në përdorimin e forcës në mbarë botën tregojnë qartë se kjo është diçka për të cilën e drejta ndërkombëtare ka nevojë”, deklaroi wenaweser.

“Po krijojmë një precedent”, tha Philippe Sands. “Nëse mund të kemi një tribunal për krimin e agresionit në konfliktin Rusi-Ukrainë, atëherë pse jo edhe për SHBA-Iran apo Izrael-Iran? Kjo ndjek të njëjtën logjikë. Jemi në një moment historik ku, nga njëra anë, po ndodh një shkatërrim metodik i së drejtës ndërkombëtare dhe multilateralizmit, ndërsa nga ana tjetër ka ende njerëz që vazhdojnë të ndërtojnë.”

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME