Kongresmeni Keith Self (Teksas-03), së bashku me kongresmenët Ritchie Torres (Nju Jork-15) dhe Mike Lawler (Nju Jork-17), kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve që shpreh mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Rezoluta thekson se qeverisja demokratike e Kosovës, kontrolli civil mbi forcat e sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë një bazë bindëse për anëtarësim në NATO. Për më tepër, në një kohë kur forca kundërshtare përpiqen të destabilizojnë rajonin, përfshirja e Kosovës në aleancë do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të penguar këto përpjekje dhe për të parandaluar një krizë tjetër të madhe në Ballkan.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që atëherë është njohur nga mbi 100 shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë, mungesa e njohjes unanime brenda NATO-s mbetet pengesa kryesore për integrimin e saj në aleancë.
Katër vende anëtare të NATO-s — Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja — ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqenëse NATO funksionon mbi bazën e konsensusit, kjo mungesë njohjeje përbën një pengesë të rëndësishme për avancimin formal të Kosovës drejt anëtarësimit, përfshirë pjesëmarrjen në mekanizma kyç si “Partneriteti për Paqe” dhe “Plani i Veprimit për Anëtarësim”.
Rezoluta e kongresmenit Self u bën thirrje këtyre katër aleatëve që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët mund ta shfrytëzojnë.
“Kosova ka treguar përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përputhjes strategjike me vendet e NATO-s, por progresi i saj drejt anëtarësimit po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”, tha kongresmeni Self. “Përfshirja e Kosovës në aleancë është thelbësore për të kundërshtuar ndikimin në rritje të forcave kundërshtare në Evropë. Shtetet e Bashkuara duhet të inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme drejt anëtarësimit”.
Në dokumentin e rezolutës, të siguruar nga Gazeta Express nga burimet e saj në Ëashington, theksohet se çdo reduktim i pranisë së ushtrisë amerikane në KFOR do të kishte pasoja për sigurinë e rajonit dhe do t’u shërbente aktorëve që nuk janë të interesuar për paqen.
Përmes pikave të kësaj rezolute kërkohet:
mbështetje e fuqishme për praninë e forcave amerikane në Kosovë;
njohja e nevojës për këtë prani, për shkak të vazhdimësisë së çështjes Kosovë–Serbi;
si dhe pranimi se kapacitetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara janë thelbësore që KFOR të mbetet një forcë efektive dhe e gatshme operacionale.
Bazuar në këtë rezolutë, Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara:
Pranon se tensionet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë mbeten të pazgjidhura dhe vazhdojnë të jenë të pranishme;
Pohon se prania e vazhdueshme ushtarake e KFOR-it të NATO është jetike për ruajtjen e paqes dhe sigurisë;
Mbështet vazhdimin e misionit të KFOR-it në Kosovë;
Shpreh mbështetje të fuqishme për dislokimin e personelit ushtarak të Shteteve të Bashkuara në këtë mision;
Pranon nevojën e vazhdueshme për kapacitetet ushtarake amerikane në mënyrë që KFOR të mbetet një forcë e fuqishme operative;
I bën thirrje që personeli ushtarak amerikan i stacionuar në Kosovë të qëndrojë deri në përfundimin e misionit.
