Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka mirëpritur arrestimin e Stefan Raduloviq, i cili dyshohet për terrorizëm e për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Kurti e cilësoi si një hap përpara drejt vendosjes së drejtësisë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.
“Mirëpresim arrestimin e Stefan Raduloviq, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë që kishte për qëllim aneksimin e veriut tonë. Ky është një hap përpara, drejtësia bëhet e plotë vetëm kur bashkëpunëtori i Raduloviq, kryeterroristi Milan Radoiçiq dhe grupi i tij në tërësi vihen para drejtësisë në Kosovë ku do të kenë gjykim të drejtë e fer”, tha Kurti.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Stefan Raduloviq, i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.
36-vjeçari, me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, është arrestuar të premten nga Policia në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe dyshohet për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
