Përderisa të gjithë janë në pritje të vendimit të madh për krerët e UÇK-së në Hagë, peticioni kundër Gjykatës Speciale po vazhdon.
Deri më tash ka pasur mbi 100 mijë nënshkrime, ka konfirmuar Fatmir Sopi nga OVL-UÇK.
“Deri më tani në bazë të informacioneve që i kemi nga terreni janë bërë rreth 100 mijë nënshkrime, prej tyre 28 mijë janë online ndërsa pjesa tjetër janë fizikisht”, ka deklaruar Sopi për Dukagjinin.
Sopi tregoi edhe hapat tjerë që do të ndërmerren për të kundërshtuar vendimet e Speciales për katërshen së UÇK-së në Hagë.
“Hapat tjerë që do i marrim ne si organizatë do të varet krejt nga vendimi dhe zhvillimet që do të jenë në gjykatën speciale”, ka theksuar ai.
Peticioni kishte nisur online, por më pas edhe fizikisht.
Peticioni ishte nënshkruar edhe nga Ramush Haradinaj dhe Bedri Hamza.
“Është detyrë e secilit prej nesh që t’u qëndrojë pranë atyre që kontribuuan me vite të tëra për lirinë dhe shtetin tonë. Lufta çlirimtare ishte mbrojtëse, e drejtë dhe jam i bindur se drejtësia së shpejti do ta rikonfirmojë këtë”, shkruante Hamza në Facebook.
“Sot nënshkrova peticionin kombëtar të iniciuar nga kategoritë e dala nga lufta, në përkrahje të bashkëluftëtarëve tanë që po gjykohen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë. Besojmë se edhe kësaj radhe drejtësia ndërkombëtare do të rikonfirmojë pastërtinë e luftës sonë të drejtë çlirimtare”, shkruante Haradinaj.
Peticioni kërkon respektimin e parimeve thelbësore për të drejtat e njeriut. Kërkon drejtësi, dhe largim të provave nga Serbia.
Më poshtë, teksti i plotë i peticionit:
Andaj, ne konsiderojmë se:
Vendimi duhet të bazohet ekskluzivisht në prova dhe fakte të administruara në gjykim. Çdo ndikim i drejtpërdrejtë apo i tërthortë politik, do të dëmtonte rëndë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare, e cila presim të jetë e paanshme dhe pa standarde të dyfishta.
KËRKOJMË
Respektim të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave themelore të të akuzuarve, respektim të Ligjit për Dhomat e Specializuara të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si dhe respektim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; që garantojnë proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm, në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë.
Trajtim dinjitoz dhe njerëzor, në përputhje me konventat ndërkombëtare për të drejtat e të paraburgosurve, duke garantuar respekt të plotë për integritetin fizik dhe psikologjik të tyre; përfshirë këtu edhe heqjen e menjëhershme të masës së paraburgimit, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e jashtëzakonshme të procesit dhe parimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
Vlerësim rigoroz, profesional dhe plotësisht të paanshëm të provave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të pranueshmërisë, duke përjashtuar çdo provë që nuk përmbush kriteret e besueshmërisë, autenticitetit dhe ligjshmërisë procedurale.
Përjashtim të menjëhershëm dhe të plotë të çdo prove të siguruar apo të pranuar nga autoritetet e Serbisë, duke pasur parasysh se Serbia asokohe ishte palë në luftë dhe është dokumentuar ndërkombëtarisht përfshirja e forcave të saj në krime dhe masakra të kryera në Kosovë. Pranimi i provave të prodhuara nga ta, paraqet rrezik serioz për integritetin e procesit dhe bie ndesh me parimin e paanshmërisë dhe barazisë.
Eliminim të aplikimit të zgjeruar të konceptit të “përgjegjësisë komanduese”, pasi që në kontekstin e luftës në Kosovë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është paraqitur si organizim i armatosur i lindur nga rrethanat e vetëmbrojtjes së popullsisë dhe jo si ushtri shtetërore me zinxhir formal dhe të institucionalizuar komandimi. Parimi i përgjegjësisë penale në të drejtën ndërkombëtare është individual dhe nuk mund të zgjerohet në mënyrë kolektive apo abstrakte pa prova konkrete të kontrollit efektiv dhe urdhërdhënies së drejtpërdrejtë.
