Një sulm masiv me dronë ukrainas gjatë natës ka goditur rëndë portin e Primorskut në Detin Baltik, pikën më strategjike të eksportit të naftës ruse, duke shkaktuar një rënie dramatike prej 43% të shitjeve të naftës së papërpunuar.
Eksportet ruse u përmbysën nga 4.07 milionë në vetëm 2.31 milionë fuçi në ditë brenda pak orësh, duke shënuar një nga goditjet më të rënda financiare ndaj makinerisë së luftës së Kremlinit.
Shpërthimet e shumta në depozitat e karburantit dhe dëmtimet e infrastrukturës kritike u konfirmuan nga pamjet satelitore që treguan vatra zjarri në pikat kyçe të terminalit, i cili përpunon zakonisht rreth 1 milion fuçi në ditë.
Ky operacion nuk është thjesht një dëm material, por një paralizë e nyjës kryesore që shërben për “flotën hije” të Rusisë, rrjetin e cisternave që Moska përdor për të shmangur sanksionet ndërkombëtare dhe tavanin e çmimit të vendosur nga G7. Goditja në Primorsk detyron devijimin e anijeve drejt porteve të tjera më të largëta, duke rritur kostot e transportit dhe duke krijuar kaos logjistik në Detin Baltik, i cili tashmë po kthehet në një zonë të pasigurt për tregtinë ruse.
Ekspertët theksojnë se riparimi i këtyre terminaleve do të jetë i vështirë për shkak të mungesës së teknologjisë perëndimore si pasojë e sanksioneve, duke e lënë buxhetin energjetik rus në një pasiguri të thellë përballë sulmeve gjithnjë e më precize të Ukrainës./Korrespodenti
