Ka vdekur prifti me prejardhje nga Spaçi i Mirditës, Dom Kelmend Spaqi, famullitar në Kishën e “Shna Ndout” në Gllogjan. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë e miq të tij në rrjetin social Facebook.
Kush ishte Dom Kelmend Spaqi?
Prifti katolik, Dom Kelmend Spaqi, gjatë luftës së fundit në Kosovë, kishte strehuar me qindra shqiptarë myslimanë në kishën e Shna Ndout.
“Më 4 prill, i kanë marrë 12 burra për t’i pushkatuar. Kam shkuar pas tyre, u kam dalë para e u kam thënë: ‘ose edhe mua, ose asnjë’ dhe i kam kthyer në kishë. Edhe sot nuk mund ta besoj se si kam mundur në atë kohë t’ia marr serbit automatin prej dore e t’i them: ti s’ke zemër për t’i vrarë këta”, rrëfente vetë prifti Kelmend Spaqi për kohën e luftës.
“Më thanë: ti besimtarët e tu lëri të rrinë në kishë, myslimanët na i jep neve, e dimë ne çfarë bëjmë me ta. U thashë: ‘jo kurrë e përjetë, nuk i ndaj’. Nuk ka këtu as katolikë as myslimanë, ka njerëz të pafajshëm. Bëni çfarë të doni.”
“Pushkatomëni më së pari mua dhe krejt stafin këtu, atëherë mund t’i prekni këta”, thoshte Dom Kelmend Spaqi.
Siç kishte raportuar asokohe edhe media e madhe britanike, “Sky News”, ai nuk kishte lejuar që forcat paramilitare serbe të hynin në kishën e tij.
“Në dalje të Pejës sot, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme guximi. Prifti katolik lokal në fshatin Gllogjan u dha strehë qindra shqiptarëve myslimanë, teksa paramilitarët serbë po afroheshin. Duke i ruajtur ata brenda kishës së tij, Ati Kelmend Spaqi refuzoi t’i lejonte serbët të hynin, duke thënë se të gjithë kanë një Zot. Përfundimisht, ai u desh t’i paguante paramilitarët për t’ua shpëtuar jetën atyre. ‘Jam njeri i Zotit’, na tha ai neve. ‘Kam mësuar ta dua armikun tim’”, raportonte asokohe “Sky News”.
Përveç kësaj, në kohën e luftës, meqë nuk kishte xhami afër fshatit Gllogjan, Dom Kelmend Spaqi bashkë me udhëheqësit e tjerë të kishës, vendosën ta lajmëronin iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të kishës.
