Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar mbrëmë në Beograd se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot në Paris me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe do të paraqesë dy kërkesa, prej të cilave njëra është “shumë e rrezikshme”, duke u bërë thirrje zyrtarëve botërorë “të mos luajnë me këtë”.
Vuçiqi ka deklaruar mbrëmë në televizionin në shërbim të regjimit të tij “TV Përva” se Albin Kurti do t’i kërkojë Emmanuel Macronit që NATO të largohet nga zona tokësore e sigurisë në veri të Kosovës dhe që Franca ta mbështesë këtë, në mënyrë që Prishtina të mund të sjellë “të ashtuquajturat” Forca të Sigurisë së Kosovës në zonën tokësore të sigurisë”, gjë që ai e përshkroi si një kërkesë “shumë të rrezikshme”.
“Shpresoj që askujt në NATO nuk i shkon në mendje ta mbështesë një kërkesë të tillë, jam i sigurt “se mikut tim” Macron nuk do t’i shkojë në mendje ta mbështesë këtë. Kjo do të ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj paqes, ndaj popullsisë sonë, ndaj gjithë Serbisë dhe jam pothuajse i sigurt se kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiqi.
Vuçiqi ka shtuar se Kurti gjithashtu do të kërkojë nga Macroni që francezët ta kushtëzojnë Serbinë se si do t’i përdorë armët e saj, përkatësisht që ato të mos përdoren kurrë kundër shqiptarëve.
Presidenti i Serbisë ka thënë se regjimi i Beograd “ka njerëz në rrethin e Kurtit” dhe se ka siguruar agjendën e tij për bisedën me Macronin.
“Nuk e kuptoj çfarë i duhet kjo presidentit francez, por ai është president i një shteti të madh, ndërsa unë i një të vogli, i uroj çdo të mirë. Kurti (për bisedën me Macronin) ka katër tema dhe dy kërkesa. Nuk e di se cila është agjenda e Macronit”, ka shtuar Vuçiqi.
Vuçiqi gjithashtu ka thënë se ka parë që partia franceze MoDem, e cila është partnere koalicioni e Macronit, ka organizuar një takim në Paris me përfaqësues të partive opozitare dhe organizatave joqeveritare nga Serbia, dhe se kanë mbledhur “gjithçka që mundën” kundër tij.
