Ministri i Financave, Hekuran Murati ka konfirmuar vendimin pas triumfit 4-3 të Kombëtares së Kosovës ndaj Sllovakisë, duke thënë se Qeveria do t’i shpërblejë “Dardanët” me 500 mijë euro të hënën.
Pas fitores spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë në ndeshjen gjysmëfinale të ‘play-off’-t, Qeveria e Kosovës pritet të shpërblejë Kombëtaren me një shumë prej 500 mijë euro, ashtu siç kishte premtuar.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, përmes një postimi publik, ku ka theksuar se vendimi do të procedohet për miratim në mbledhjen e radhës të Qeverisë.
Sipas tij, kjo vjen me kërkesë të Kryeministrit, si një vlerësim për paraqitjen dhe fitoren e rëndësishme të “Dardanëve”, që i afrohen gjithnjë e më shumë një arritjeje historike në arenën ndërkombëtare.
“Mirëmëngjes fitues! Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, ka shkruar Murati në profilin e tij në Facebook.

